TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjyqtari i shkarkuar nga vettingu, Admir Thanza është marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës pasi ka fshehur një dënim në Itali.
Gjyqtari ka fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Dënimi është dhënë në vitin 1999, por gjyqtari, i cili javën që shkoi u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nuk e ka pranuar konsumimin e veprës penale. Për rastin në fjalë, gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë.
Thanza mohoi të ketë kryer vepër penale, për të cilën ka marrë dënim. Pas verifikimeve u zbulua se gjyqtari ka kryerë vepër penale në Itali, gjë e cila nuk është deklaruar në formularët e dekriminalizimit, prandaj përbën vepër penale sipas ligjeve në fuqi.
Sipas DSIK, Thanza ka pasur kontakte me persona të botës së krimit. Gjithashtu, gjyqtari Thanza kishte probleme edhe me pasurinë e tij. Ai ka deklaruar se një apartament në Shkodër e ka blerë me burime financiare nga shitja e dy apartamenteve të tjerë. Mirëpo, datat janë shumë konfuze. Gjyqtari Thanza ka deklaruar se apartamentin e tretë e ka blerë në prill të vitit 2000, ndërsa dy apartamentet e parë, i ka shitur në shtator të vitit 2000. Po kështu, kujtojmë se sot në orën 10:00, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pritet që të jepet vendimi për Thanzën.
Dënimi i fshehur në Itali
Dënimi në Itali është zbuluar nga përfaqësuesit e ONM-së, pasi gjyqtari Thanza nuk e kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Ai, bëhet kështu gjyqtari i parë që fsheh një dënim.
Vetë Thanza dha shpjegime në fund të seancës, duke thënë se ka marrë përsipër veprimin e paligjshëm të ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Spitalin e Pizës nga një sëmundje e rëndë.
“Kam tentuar me sinqeritet maksimal që ta shpjegoj edhe në e-maile, edhe në materialet që kam paraqitur, ekzistencën e dënimit.
Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht, kurrë nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim”, ka treguar Thanza javën e kaluar. TPZ.AL