AKTUALITET, 17 Nëntor 2019, 08:54

Formacioni kuqezi / Reja kthen emrat e zakonshëm, ka dilema vetëm në një pozicion


Eksperimentet kanë marrë fund me Andorrën. Edi Reja do të kthejë në fushën e lojës emrat e zakonshme për sfidën kundër Francës, në mënyrë që të kërkojë një rezultat, apo të paktën një paraqitje që të bëjë të harrohet sa më shpejt ajo ndeshje kundër modestëve europianë.

Gjithçka nis nga porta, me Strakoshën mes shtyllave, edhe pse kjo nuk është një “ngelje në klasë” për Berishën e pafajshëm në ndeshjen ndaj Andorrës, thjesht caktimi i hierarkive në ekip duke i besuar portierit të së ardhmes.

Para tij, Dermaku kthehet në qendër të prapavijës, me Ismajlin e Gjimshitin nga krahët, një rreshtim që ka dhënë më shumë siguri në ndeshjet e mëparshme me lojtarin e Parmës si udhëheqës.

Hysaj do të rreshtohet në të djathtë, ndërsa Lenjani pritet të luajë nga e majta. Sa i përket këtij pozicioni të fundit, ka shumë diskutime, pasi Roshi me dy asistet e tij ka hedhur një kandidaturë të fortë për të qenë titullar.

Por Reja e sheh më shumë si zëvendësues të minutave të fundit në ndeshjet ndaj ekipeve të mëdha, ndaj pritet ta mbajë në pankinë.

Në qendër të mesfushës rikrijohet treshja Gjasula-Bare-Memushaj e cila ka për detyrë të kujdeset për të ndaluar ofensivën franceze, por edhe të krijojë për dyshen e sulmet.

Para konfirmohen Balaj dhe Manaj, të cilët në mungesën e Çikalleshit dhe Sadikut duket se janë zgjedhja e parë për teknikun Reja.