AKTUALITET, 19 Gusht 2018, 14:06

Fondacioni turk ble “New York University” në Tiranë

Fondacioni turk ble “New York University” në Tiranë

Një ndër universitetet private më të njohura në Shqipëri, "New York University Tirana" është blerë të premten nga fondacioni shtetëror turk “Marif Vakëf”.

Ky fondacion erdhi pak kohë më parë në Shqipëri si përgjigjje ndaj shkollave që kontrolloheshin nga kleriku Fetullah Gylen. Për një shifër prej 1.2 miliardë lekë, ky fondacion bleu universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, i cili u themelua vite më parë nga një ndër politikanët më në zë në vend, i ndjeri Gramoz Pashko.

Pak kohë më parë, Turqia i kërkoi Shqipërisë mbylljen e institucioneve arsimore të rrjetit të Gylenit, të cilat hoqën flamujt e Turqisë. “Turkije Marif Vakëf”, sipas vetë Presidentit Erdogan do punonte me çështjet e arsimit.

Fondacioni që zotëron tashmë universitetin shqiptar ka bërë edhe zëvendësimin e administratorit të kompanisë, shtetasin grek Ilias Foutsis me një administrator turk, Fatih Cankurt.

Ndryshimet në pronësinë e këtij universiteti kanë ndodhur në ditët e para të muajit gusht dhe më pas janë reflektuar edhe në qendrën kombëtare të regjistrimit, ndryshimi më i fundit është emërimi i administratorit.

Presidenti Erdogan, ka nisur prej kohësh një "luftë" për zhdukjen e prezencës së gylenistëve në shkollat turke në Shqipëri. Ndryshe nga vendet e tjera që shkollat po  mbyllen, në Shqipëri, qeveria nuk po i nënshtron "gylenistët" ndaj masave të tilla, por po i largon ato duke ndryshuar pronësinë e shkollave.