AKTUALITET, 5 Prill 2018, 13:42

Fleckenstein: Është koha të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë

Fleckenstein: Është koha të hapen negociatat për

Eurodeputeti Knut Fleckenstein në një konferencë për mediat tha se është koha të hapen negociatat për anëtarësim.

“Jemi në pritje të daljes së raportit dhe Komisioni duhet të japë rekomandimin pa kushte për hapjen e negociatave për Shqipërinë”.

Më tej, eurodeputeti Fleckenstein ka deklaruar se BE pret një rekomandim të qartë dhe të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

"Jemi në pritje të raportit të Komisionit. Është një 6-mujor tejet i rëndësishëm. Takimi i Sofjes duhet të dalë me elemente tepër konkrete. Do të presim në qershor takimin e Këshillit Evropian dhe shpresojmë të dalim me një rekomandim të qartë. Presim një rekomandim të qartë dhe të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për Shqipërinë tani.

Jam takuar me palët politike dhe ministrin e Brendshëm në Tiranë. Shqipëria ka shumë punë për të bërë sa i takon reformave. Ne do të ofrojmë mbështetjen tonë. Shpresoj që shtatorin e ardhshëm të kemi arsye për të festuar, por edhe të përgatitemi për punën që na pret. "

Eurodeputeti u ndal dhe te Reforma në Drejtësi, duke e cilësuar atë si një element shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit. Fleckenstein deklaroi se sa më shumë të zbatohet Reforma në Drejtësi, aq më shpejt hapen negociatat.

"Është e rëndësishme zbatimi i Reformës në Drejtësi, është shumë e rëndësishme që gjatë negociatave të negociohen dhe të drejtat e pronësisë. Elementet shtesë janë thelbësore për negociatat. Sa më shumë të zbatohet Reforma në Drejtësi, aq më e afërt është koha për hapjen e negociatave"

Fleckenstein tha se u takua me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Eurodeputeti, tha se duhet dialog politik mes dy palëve.

Flackenstein nuk iu shmang dot as aktualitetit politik, protestave të zhvilluara që kulmuan sot me bllokimin e katër akseve rrugore. Sipas tij e drejta për të protestuar është demokratike, por dhuna nuk justifikohet.