AKTUALITET, 5 Prill 2018, 13:04

Opozita shqiptare bllokon rrugët, nis zyrtarisht mosbindja civile

Protesta e opozitës shqiptare, e etiketuar nga liderët e opozitës si fillimi i mosbindjes civile, ka nisur ditën e sotme. Protesta ka patur për qëllim paralizimin e qarkullimit të automjeteve në rrugët kryesore në Bradashesh, Çermë, Vorë dhe Milot. Protesta është udhëhequr nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Rruga e parë që u bllokua nga qytetarët ishte rruga dytësore në Vorë. Protestuesit kanë dalë përpara makinave, duke bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve. Në Vorë ka qenë prezent edhe Lulzim Basha, sëbashku me deputetë të tjerë të PD-së.

"Regjimet të cilat i kundërvihen interesit publik, regjimet që përdorin dhunën dhe forcën kundër njerëzve, janë vetëm hapa drejt rrëzimit. Popullin shqiptar nuk e nënshtron dot, nuk e privatizon dot. Ne do të jemi aty, siç kemi qenë sot në krah të qytetarëve të pafajshëm kuksianë. Do të jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, nga sipërmarrësit e vegjël, nga fermerët, nga qytetarët që janë larguar nga ndihma ekonomike. Një popull i bashkuar, që do t’i rezistojë me të gjitha format dhe mënyrat demokratike, është garancia se kjo diktaturë dhe tirani e krimit, i ka orët e numëruara", u shpreh Lulzim Basha.

Nga ana tjetër, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ndodhej në Bradashesh të Elbasanit, nga ku bëri thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama. Kryemadhi  ka komentuar aksionin e sotëm të opozitës, për bllokimin e akseve rrugore. Ajo u shpreh se shqiptarët duhet të marrin fatet e tyre në dorë dhe të rrëzojnë “kryeministrin e drogës”.

“Kemi dalë të ndërgjegjësojmë kryeministrin e drogës Edi Rama, i cili duhet të tërhiqet nga TVSH-ja për biznesin e vogël, nga Rruga e Kombit, nga rritja e çmimit të ujit dhe çdo vjedhje që u bën shqiptarëve. Shqiptarët do të marrin fatet e tyre në dorë dhe të largohen nga kjo situatë e tmerrshme. Të gjithë pagat e shqiptarëve shkojnë për xhepat e oligarkëve", tha Kryemadhi.

Në  Bradashesh ka patur edhe përshkallëzim të protestës. Portestuesit kanë hedhur tymuese dhe dogjën disa goma.

 

Me protestën e opozitës janë solidarizuar edhe bizneset e vogla në disa qytete të Shqipërisë. Këto biznese kanë ulur qepenat dhe kanë varur njoftimin "jemi në grevë". Ish kryeministri Sali Berisha, ka publikuar pamjet nga tregu ushqimor, pranë "Pallatit me Shigjet" në Tiranë, ku të gjithë qepenat e dyqanve kanë qenë të ulura.

Policia e Shtetit nuk ka ndërhyrë për largimin e qytetarëve nga rrugët, pavarësisht deklaratës së një dite më parë, ku thuhej se protesta nuk kishte leje dhe për rrjedhojë ishte e paligjshme. Policia paralajmëroi përballjen me ligjin për organizatorët, por deri tani nuk ka patur asnjë njoftim lidhur me këtë çështje. Policia ka bërë thirje me megafon, por nuk ka ndërhyrë.

“Lejoni lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të automjeteve. Organizimi dhe  pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, pengimi i qarkullimit të mjeteve, përbën vepër penale."

Protesta është mbyllur me fjalimet e drejtuesve të opozitës, të cilët kanë paralajmëruar se ky është vetëm fillimi i një vale protestash dhe mosbindje civile, qëllimi i të cilës është largimi i kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestës së opozitës, është mbledhur edhe Kuvendi, ku foli për një kohë të gjatë kryeministri Rama, jo vetëm për të sqaruar qytetarët në lidhje me Rrugën e Kombit, por edhe për të tërhequr vëmendjen nga protesta. Rama ka deklaruar se tarifa në këtë rrugë do të pezullohet, deri në momentin që të ketë një zgjidhje për banorët e zonës. Kryeministri duket se është frikësuar mjaftueshëm nga ngjarjet e pesë ditëve të fundit, çka ka sjellë edhe reflektimin dhe tërheqjen e tij.

“Nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa pasur zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë”, u shpreh Kryeministri.

/TPZ.AL/