AKTUALITET, 24 Qershor 2018, 16:34

FIFA heton Xhakën dhe Shaqirin për "shqiponjën", ja çfarë rrezikojnë dy futbollistët

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dy futbollistët me origjinë shqiptare që i dhuruan fitoren ekipit të Zvicrës ndaj Serbisë, janë vendosur nën hetim nga FIFA. Hetimi ka filluar për shkak të festimit të golave, me simbolin e shqiponjës, gjë që nga serbët është interpretuar si një gjest provokues.

BBC sport raporton se FIFA do të ekzaminojë nëse gjestet e këtyre futbollistëve klasifikohen si provokuese. Sipas nenit 54 të kodit të disiplinës së FIFA-s, "kushdo që provokon publikun gjatë një ndeshje, do të pezullohet për dy ndeshje dhe do të gjobitet me një minimum prej 5,000 franga zvicerane". FIFA do të thërrasë dëshmitarë ekspertë, për të shpjeguar nëse festimi i dy shqiptarëve mund të klasifikohet si provokim.

Argumenti i palës serbe është se kjo sjellje e futbollistëve të kombëtares zvicerane, tregon dëshirën për realizimin e "Shqipërisë së Madhe". Ky ka qenë gjithmonë interpretimi i serbëve për këtë simbol, megjithëse në Shqipëri ky gjest simbolizon shqiponjën me dy krerë, të flamurit kombëtar.

Nëse FIFA vendos për pezullimin e Xhakës dhe Shaqirit ata do të humbasin ndeshjen e fundit në grupin E përballë Kosta Rikës dhe nëse Zvicra kualifikohet, edhe ndeshjen pasuese.

FIFA po heton edhe trajneri e ekipit serb, për shkak të komenteve të tij në konferencën për shtyp, ku tha se arbitri i ndeshjes duhet të dërgohet në Hagë. Ky koment duket mjaft i çuditshëm sepse në gjykatën e Hagës dërgohen kriminelët e luftës, gjë që trajneri  Mladen Krstajic duhet ta dijë mjaft  mirë.

/TPZ.AL/