AKTUALITET, 24 Qershor 2018, 11:48

Kujt t’i besosh? Rama: Lajm i rremë kampi për refugjatët në Shqipëri

Kujt t’i besosh? Rama: Lajm i rremë kampi për refugjatët

Edhe këtë të diel, kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë zërat për ndërtimin në Shqipëri të një kampi refugjatësh.

Duke folur në ceremoninë e zhvilluar për çmimin që fitoi në Barcelonë sheshi “Skënderbej”, Rama e konsideroi lajm të rremë ndërtimin e një kampi për refugjatët në vendin tonë.

“Lajm i rremë lajmi për kampin e madh të refugjatëve që do mblidhen nga gjithë bota këtu në Shqipëri. Është betejë e vështirë beteja me lajmet e rreme”, theksoi Kryeministri. Asgjë nuk është e vërtetë, theksoi Rama, lidhur me ndërtimin e një kampi të tillë.

Ndërkohë, një ditë më parë Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani tha se përfytyron mundësinë e kampeve në Shqipëri. Sipas tij, stabiliteti i Evropës varet nga Gjermania, dhe kjo e fundit po përballet me krizën e refugjatëve të paligjshëm.

Prandaj, brenda BE-së po shihet mundësia e ndërtimit të kampeve për emigrantët në Shqipëri ose Maqedoni.