TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbi vendin tonë ka vijuar mot me reshje shiu, por intensiteti i tyre ka rënë, duke sjellë përmirësimin e gjendjes në pjesën më të madhe të territorit. Rrezik kryesor mbeten prurjet në lumin Vjosë, sidomos në Vlorë dhe Fier. Strukturat shtetërore janë angazhuar pa ndërprerje, me përparësi kryesore shpëtimin e jetës dhe minimizimin e dëmeve. Janë evakuuar qytetarët dhe gjëja e gjallë nga zonat e rrezikuara, si dhe është punuar për me forca dhe mjete të shtuara për kthimin sa më shpejt të normalitetit. Pa ndërprerje kanë vijuar edhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Pavarësisht se reshjet dhe prurjet e lumenjve kryesorë kanë qenë dhe pjesërisht mbeten mbi nivelet maksimale historike, si rezultat i punës paraprake për pastrimin e kanaleve kulluese, shtratit të lumenjve dhe forcimin e argjinaturave, si dhe mirëfunksionimin e hidrovoreve, dëmet kanë qenë relativisht të kufizuara.
Rrugët kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve dytësore e rurale, ku po vijon puna për normalizimin e trafikut. Falë punës së përkushtuar të OSHEE, është arritur të minimizohet numri i abonentëve pa energji.
Nën drejtimin e Kryeministrit u zhvillua mbledhja e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave. Aty u diskutua për gjendjen dhe kontributin e secilit institucion për përballimin me sukses të situatës dhe kthimin në normalitet të jetës së qytetarëve dhe infrastrukturës së vendit. Gjithashtu, u lanë detyra për marrjen e masave paraprake për përballimin në ditët në vijim të situatës me borë në zonat malore të vendit.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave vendosi për fillimin menjëherë të inventarizimit të plotë të dëmeve në banesa, rrugë, ura, shkolla, bujqësi etj.. Fatura e vlerësimeve të kompensimeve do të bëhet në mënyrë transparente dhe do të sigurohet përfshirja e të gjithë familjeve të prekura, veçanërisht atyre në nevojë.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderoi të gjithë pjesëtarët e strukturave shtetërore e private që janë të angazhuar pa ndërprerje në operacionet në terren për përballimin e situatës. Vlerësohet maksimalisht solidariteti vëllazëror nga Kosova, e cila ka dërguar pesë skuadra kërkim-shpëtimi, si dhe gatishmërinë e ofruar nga partnerët ndërkombëtarë për përballimin e gjendjes dhe riparimin e dëmeve.
Si pjesë e këtij njoftimi vijojnë të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët.
Instituti i metreologjisë: Ju tregojmë situatën për ditën e nesërme, zonat që do të jenë më të prekura
Reshjet e matura nga IGJEUM në basenet e lumenjve Vjosa, Seman dhe Shkumbin, përgjatë 24 orëve të kaluara, kanë qenë shumë intensive. Gjithashtu edhe jashtë kufirit të Shqipërisë në basenin e lumit Vjosa këto reshje kanë qenë shumë intensive. Gjatë ditës së sotme e Shtunë (dt.02.12.2017) deri nesër e Diel (dt.03.12.2017), reshjet maksimale 24 orare, priten mesatare deri lokalisht intensive. Shenjat e Alarmit për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël janë hequr nga tabela e qarqeve, sepse këto përmbytje e kanë kaluar pikën kritike përgjatë natës së kaluar.
Mbeten aktive paralajmërimet për vazhdimin e përmbytjes nga Lumi Vjosa në qarqet Fier dhe Vlorë. Nga llogaritjet e fundit hidrologjike rezulton se, në pjesët fushore të këtyre lumenjve do të vazhdojë përmbytja me prurje shumë të larta nga Lumi Vjosa. Efektet kryesore të përmbytjeve në pjesët fushore në qarqet Vlorë dhe Fier do të vazhdojnë përgjatë ditës së sotme e Shtunë (dt.02.12.2017). Lumi Vjosa do të fillojë të tërhiqet në shtratin e tij natyral përgjatë fundit të ditës së Hënë (dt.04.12.2017).
Në pjesët e sipërme të baseneve në qarqet (Elbasan, Gjirokastër dhe Berat) do të ulet rreziku nga përmbytja.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve te ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.
PARASHIKIMI METEOROLOGJIK :
RESHJE
Nesër (e diel, dt.03) reshjet do të vazhdojnë me një intensitet mesatar deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata.
Reshjet do të jenë në formë dëbore në zonat e larta malore, kryesisht në veri dhe lindje të vendit.
TEMPERATURAT
Nesër (e diel, dt.03) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 7 °C / 13 °C
në vendet e ulta: 6 °C / 13 °C
në vendet malore: -1 °C / 6 °C.
ERA
Nesër (e diel, dt.03) do të fryjë e dobët, ndërsa ne bregdet deri mesatare.