AKTUALITET, 2 Dhjetor 2017, 20:19

Meta: Falënderim për të gjitha forcat e angazhuara, veçanërisht ato nga Kosova

Meta: Falënderim për të gjitha forcat e angazhuara,

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua sot me Forcat e Armatosura, të Policisë dhe ekipet emergjencave të Kosovës në Ferras një prej zonave më problematike pas përmbytjeve të dy ditëve të fundit.

“Kënaqësi të falënderoja sot në Ferras Forcat e Armatosura, ato të Policisë dhe ekipet e emergjencave të Kosovës për menaxhimin plot përkushtim të përmbytjeve të Vjosës në ndihmë të banorëve të rrezikuar. Mirënjohje për sakrificat e tyre sepse jeta e qytetarëve është e para”, shkruan Kreu i Shtetit në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”.

Presidenti Meta shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, z. Bardhyl Kollçaku.

Duke folur për mediat z. Meta falënderoi punën e bërë nga të gjitha autoritetet shtetërore në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një falënderim të veçantë Presidenti Meta bëri për mbështetjen e ardhur nga Kosova

“Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të kapriçove të natyrës përveç problemeve që edhe ne vetë i kemi krijuar duke nënvlerësuar ligjet e natyrës. Por për fat të mirë eksperiencat e së kaluarës kanë qenë mjaft pozitive për të përballuar këtë proces për të mos pasur humbje të jetës së njerëzve, për të mos pasur as dëme serioze sa i takon gjësë së gjallë, të cilat kanë ndodhur në përmasa të mëdha në të kaluarën” tha z. Meta.

 

[gallery ids="29993,29992,29991"]

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore në menaxhimin e kësaj situate.

“Janë edhe vende shumë më të zhvilluara se ne të cilat kanë vështirësi në menaxhimin e përmasave të tilla, megjithatë unë besoj se kur koordinohet mirë, kur bashkëpunohet mirë dhe kur komuniteti e vetë banorët bashkëpunojnë me autoritetet dhe me ushtrinë e policinë, situata kalon me dëme më minimale. Kështu që urime të gjithëve për këtë punë të mirë që po bëni dhe që vazhdoni ta bëni”, theksoi Presidenti Meta