TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rama po kërkon ta kthejë “Shtëpinë e verdhë” nw spitalin virtual ku transferon, mbulon, shëron plagët e krizës së qeverisjes, posaçërisht menaxhimin e Covid-19.
Me pak fjalë, me propagandën e tij synon që njerëzit të mos merren me spitalet e tij të mjera, por të merren me një histori të verdhë, që e gjen të gatshme tek raporti famëkeq i Dick Marty-t. Ai e aktualizon këtë legjendë duke përfshirë kreun e opozitës, Lulzim Bashën. Sa ta gjejnë njerëzit të vërtetën (gurin në lumë) kanë ardhur Krishtlindjet…
Propaganda e tij organizohet në rrjetet sociale dhe funksionon me rregullat e thashethemit dhe të dizinfomrimit duke shpërndarë gjysmë apo cerek të vërteta që njerëzit nuk i vërtetojnë dot.
Dy shënimet e sotme të Ramës
I pari, i mëngjesit, ishte “Vëllezër qem’ dhe jemi, skemi për t’u ndarë, bes e fe kemi kombin shqiptar”. Ushtria e komentuesve e përktheu mesazhin me dashurinë e tij për UÇK-në. Rama me këto dy rreshta mbulon dy seancat me Vuçiçin, kur Gjykata Speciale nxirrte në pranga Thaçin me shokë.
Shënimi i dytë ka të bëjë më një “vëlla” brenda shtëpisë, që nuk e lë të qetë duke i kujtuar se nuk po e bën mirë punën. Meqenëse opinionet i tregojnë se ka dalë keq mbrëmë, kur fliste për covidin, Rama bën viktimën.
“Kur ju them këta ëndërrojnë katastrofën, asfiksinë, vdekjen e sa më shumë shqiptarëve dhe timen mundësisht, kujtoni se bëj politikë! Jo, them vetëm të vërtetën e hidhur, siç e thotë vetë, kjo video e neveritshme e postuar nga Lulëzim Basha! Çfarë politike e mjerë!”, shkruan Rama për videon e Bashës të publikuar sot.
Jehona e Ramës
Edhe ministrja Elisa Spiropali ka reaguar menjëherë pas videos që kryedemokrati Lulzim Basha i publikoi kryeministrit Rama mëngjesin e sotëm. Ajo shkruan se “Basha e filloi karrierën e tij politike me spiunimin e UÇK-së”.
“Trafikanti i vdekjes Luli Basha e filloi karrierën me spiunimin e UÇK-së, po e vazhdon me video k r imi nale propagandistike me Covid, do ta mbylli me vra sjen dhe varrosjen e Partisë Demokratike.”, shkruan Spiropali.
Nga Facebook-u në Parlament
Çdo gjë që thotë Rama ndiqet me seriozitet nga sekretarët e PS-së dhe vullneti i tij merr formë ligjore. “Shtëpia e verdhë” dhe Basha do të hetohen në çmendinën parlamentare. Kërkesa zyrtare e Taulant Ballës, kreut të grupit të PS-së, është dërguar në Kuvend. “Kërkesë për krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor. Nisur nga debatet e ditëve të fundit në media e më gjerë për një çështje tejet të rëndësishme për opinionin publik, vendas dhe të huaj në lidhje me raportin e Dick Marty-t, të paraqitur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”), mbi të cilin është miratuar Rezoluta 1782 (2011) e APKiE “Investigime të pretendimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë”, proces ky i nisur që me mocionin për një rezolutë datë 15.04.2008, Dok. nr. 11574, paraqitur nga anëtari i APKiE në atë kohë, Konstantin KOSACHEV, përfaqësues i Federatës Ruse, Grupi Europian Demokrat, dhe duke marrë shkas nga: shënimet e këtij raporti rreth rolit në luftën për çlirimin e Kosovës të disa drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës... ”. Komisioni, arritjen më të madhe do ta ketë të dërgojë thirrje për Lulzim Bashën që ky të tregojë se çfarë punë bënte në UNMIK.
“Shtëpia e verdhë”, që nuk është as në aktakuzën e Gjykatës Speciale, që e kishte harruar edhe vetë Dick Marty- nuk u nxorr nga media, por u deklarua nga Edi Rama.
Meqenëse kjo çështje u bë kaq e rëndësishme, ju kujtojmë deputetëve tanë pa kujtesë të hapin arkivat dhe të gjejnë përfundimet e hetimit të “Shtëpisë së Verdhë” në Shqipëri.
Kjo çështje është hetuar në vitin 2000, 2002 e 2004 nga hetues të Tribunalit të Gjykatës së Hagës dhe nga zyrtarë të BE-së! Është raportuar gjersisht nga gazetarët kronikës si Flamur Vezaj, Artan Hoxha, Anila Hoxha, Basir Çollaku, etj.
Në vitin 2009, me kërkesë EULEX-it është mbyllur dosja, pasi kishin hetuar edhe hetues shqiptar të Krimeve të Rënda.
“Është e pamundur të ketë ndodhur pasi në atë shtëpi mungonte çdo kusht elementar i jetesës, pra nuk mund të bëhet transplant organesh”, ky konkluzion ka dalë nga hetimet.
Por Edi Rama ka agjendën e vet. Në ditët e ardhshme pritet të shkojë në Burrel tek ajo shtëpia kamera ekskluzive e ERTV, që do të na sjellë pamje nga brenda (çfarë ndodh atje).
/TPZ.al/