AKTUALITET, 13 Nëntor 2020, 12:46

Nipi i Jakup Krasniqit rrëfen dhjetë orët e tmerrit: Momenti kur arrestuan xhaxhain

Nipi i Jakup Krasniqit rrëfen dhjetë orët e tmerrit: Momenti kur


Dardan Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit ka rrëfyer dhjetë orët e tmerrit të bastisjes së banesës së xhaxhait të tij dhe më pas arrestimit.

Në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24, nipi thotë se bastisja ka zgjatur rreth 10 orë.

Sipas tij, arrestimi i Jakup Krasniqit është përjetuar me dhimbje, por në të njëjtën kohë thotë se ndihen edhe krenarë, për atë çfarë përfaqëson figura e tij.

I bindur për pafajësinë e Jakup Krasniqit, Dardani thotë se ai është një njeri paqësor dhe një intelektual i nderuar.

“I ka prekur gjithë njerëzit, i ka kaluar përmasat e Prishtinës dhe Kosovës.

Përveç dhimbjes na ka bërë që të ndihemi edhe krenarë për atë që përfaqëson Jakup Krasniqi.

Ka qenë një befasi. Nuk është pritur një mënyrë e tillë e arrestimit të tij. Krasniqi asnjëherë nuk i ka ikur drejtësisë.

Ajo që e ka shqetësuar Jakup Krasniqin ka qenë mënyrë si është arrestuar një personalitet, i cili në natyrën e tij është paqësor.

Ka qenë profesor dhe jeta e tij është e njohur nga të gjithë. Emocionet më të rënda i ka përjetuar bashkëshortja dhe vajza.

Të nesërmen jemi zgjuar në një situatë të re, me një ngjarje që nuk ka qenë e pritur. Na ka traumatizuar si fakt. Reagimi i familjarëve më pas ka qenë emocional në lidhje me mënyrën si është arrestuar.

Në banesë ishte Krasniqi, bashkëshortja vajza dhe 4 fëmijë. Një telefonat e pakëndshme në orën 5 të mëngjesit krijon një gjendje jo të këndshme. Kjo bëhet kundër një personi që njihet si njeri shumë paqësor.

Ne nuk e dimë çfarë kërkonin. Ne dimë që kanë marrë disa materiale që kanë gjetur aty, libra. Nuk e dimë çfarë kanë kërkuar.

Çështja është ende në proces dhe nuk ka filluar shqyrtimi. Bastisja ka zgjatur shumë orë, deri në orën 5-6 pasdite.

Përafërsisht 10 orë. Në momentin që është larguar xhaxhai nga banesa dhe është dërguar në aeroportin e Prishtinës, ato momente kanë qenë jo të mira dhe jo të këndshme. Ndjenjë e keqe dhe emocionale”, tha ndër të tjera Dardan Krasniqi.