AKTUALITET, 20 Dhjetor 2020, 11:49

Polici u vra pas debatit për dritat e gjata të makinës, autori i dyshuar i veshur me rroba ushtarake kishte dalë për gjah

Polici u vra pas debatit për dritat e gjata të makinës, autori i

Një debat banal në zanafillën e krimit në Lezhë, ku u vra me armë zjarri 26-vjeçari Xhulio Prela, efektiv i FNSH-ve të Shkodrës.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “News 24” se Xhulio Prela sipas prokurorisë së Lezhës u vra pas një debati të çastit për dritat e gjata të makinës.

Autori i dyshuar kryesor i krimit është nga Fushë Kuqja dhe është larguar nga Shqipëria menjëherë pas ngjarjes.

Ai kishte dale për gjah natën e krimit, më 5 dhjetor dhe është filmuar nga kamera e një karburanti kur ka furnizuar makinën tre minuta para ngjarjes.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, autori i dyshuar rezulton i veshur me rroba ushtarake.

Po kështu mësohet se makina që kishte në përdorim është blerë nga shoku i tij Nikollë Sherrniku në Krujë. Pronësia e makinës nuk ishte ndryshuar, por pronari ka treguar se ia kishte shitur Sherrnikut.

Krimi i rëndë ndodhi duke u gdhirë 5 dhjetori në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush, teksa 26-vjeçari u gjet i vrarë në makinën e tij tip “Volkwagen” .

Sot Policia e Lezhës deklaroi se ka zbardhur ngjarjen, ku mbi bazën e provave të grumbulluara u identifikuan dy autorët e dyshuar të ngjarjes.

Pasditen e djeshme, policia vuri në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes Nikollë Sherrniku si dhe shpalli në kërkim bashkautorin tjetër, shtetasin me iniciale B.M., dhe në bashkëpunim me homologët vijon puna intesive për lokalizimin dhe kapjen e tij.