TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shqipëria do ti bashkohet vendeve si Britania, Gjermania dhe SHBA-ja, duke larguar dy diplomatë rusë nga vendi, pas helmimit të një shtetasi britanik, ish spiun rus i konvertuar dhe vajzës së tij, me agjent nervor të kalibrit ushtarak.
Kryeministri Edi Rama, ka bërë të ditur sot në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, se Tirana zyrtare do të marrë vendim për të dëbuar disa diplomatë rusë, në linjë me shtetet perëndimore. Kjo gjë është konfirmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila në një deklaratë zyrtare, shprehet se ambasadori rus në Shqipëri, është thirrur në ministri, ku i është komunikuar shpallja non grata e dy diplomatëve rusë.
"Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqiperisë, SHTZ Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik", thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ndërkohë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë përjashtuar 60 zyrtarë rusë, përfshirë 12 punonjës në OKB, të cilët Washingtoni i konsideron si spiunë, si përgjigje ndaj helmimit të një shtetasi britanik, ish spiun rus, i konvertuar në agjent të Mbretërisë së Bashkuar.
Anëtarët e BE-së, Gjermania, Franca dhe Polonia, gjithashtu do të përjashtojnë, 4 diplomatë rusë secili.
Lituania do të largojë 3 diplomatë rusë dhe do t’u ndalojë hyrjen brenda kufijve të saj, 44 shtetasve rusë. Ndërsa, Ukraina, e cila nuk është pjesë e Bashkimit Europian, do të largojë 13 diplomatë rusë.
Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkua, përjashtoi 23 diplomatë rusë, pas helmimit të Skripal, një spiun rus i konvertuar, i cili kishte marrë azil në Britani. Rusia u kundërpërgjigj, duke larguar një numër të njëjtë diplomatësh britanikë, nga territori i saj.
Konsullata ruse në Seattle të SHBA-së, do të mbyllet, si pasojë e kësaj pakete ndëshkimi. Një zyrtar i lartë i SHBA-së, u shpreh se këto përjashtime dhe mbyllja e konsullatës, bëhen për tu solidarizuar me aleatët kryesor të SHBA-së, në kundërpërgjigje për “tentativën e qeverisë ruse, për të vrarë një shtetats britanik dhe vajzën e tij, me një agjent nervor, të kalibrit ushtarak”.
Rusia ka premtuar se do të marrë masa reciproke kundër Washingtonit.
/TPZ.AL/