AKTUALITET, 26 Mars 2018, 13:17

Pezullimi i tapive për bregdetin, Gjonaj shpjegon vendimin: Do mbrojmë pronarët!

Pezullimi i tapive për bregdetin, Gjonaj shpjegon vendimin: Do mbrojmë

Në një kohë kur në dritë kanë dalë fakte se si vidhet toka, nga njerëz me pushtet, qeveria ka bërë lëvizjen e radhës.

Duke mbrojtur vendimin e saj, për pezullimin e dhënies së tapive për trojet e dhëna me ligjin 8053 të vitit 1995, ministrja e Drejtësisë tha se kjo masë është marrë për të mbrojtur pronarët e vërtetë.

Ministrja Etilda Gjonaj tha se pronarët e ligjshëm të tokave në bregdet nuk do të cënohen, vetëm grabitësit.

Sipas saj vendimi i Qeverisë për skanimin e pronave në vijën bregdetare, është një vendim në mbrojtje të interesit publik dhe të interesave të pronarëve të ligjshëm, kundër akteve të shumta kriminale ndaj pronës shtetërore e private.

Task Forca e ngritur nga qeveria, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, do të hedhë dritë mbi abuzimet e bëra dhe do të ndihmojë në ndëshkimin e abuzuesve të çdo niveli.

Dhënia e sipërfaqeve në bregdet, përmes Akteve të Marrjeve në Përdorim të Tokës Bujqësore, është në tërësinë e vet veprimtari korruptive e dënueshme me ligj.

Skemat kriminale të zbuluara së fundmi gjatë vijës bregdetare Lezhë e Kavajë janë shembulli i qartë i modelit të ndjekur nga abuzuesit. Ky vendim synon pikërisht të pastrojë rrugën e shtetit dhe pronarëve të ligjshëm nga abuzimet dhe korrupsioni. Për qartësinë e të gjithëve se kjo VKM nuk pengon kthimin e pronës tek pronarët, sikurse po përdoret në mënyrë të shëmtuar nga opozita prej disa ditësh, përkundrazi, synon të garantojë që prona t’i kthehet pronarit dhe jo shkelësve të ligjit apo mafies së tokave në bregdet. Pezullimi është vetmë një masë e përkohshme që do i lejojë institucioneve shtetërore të verifikojë titujt e lëshuar përgjatë bregdetit dhe të ndajë njëherë e mirë pronarët e ligjshëm nga hajdutët e pronave”, tha ministrja e Drejtësisë.