AKTUALITET, 26 Mars 2018, 15:13

ZYRTARE/ Nis hetimi për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla

ZYRTARE/ Nis hetimi për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla

Mësohet se Prokuroria e Durrësit, ka nisur hetimin për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Hetimet kanë nisur për pasurinë e ish kryeprokurorit pas marrjes së të dhënave nga ILDKPI. Mësohet se disa kontrata të shitblerjes së apartamenteve të tij janë sekuestruar nga prokuroria.

Pasi është konstatuar se kishte elementë të mjaftueshëm, Prokuroria e Durrësit ka regjistruar procedimin penal ndaj ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla.

Mësohet se ish-kreu i organit të akuzës akuzohet për pastrim parash, ndërsa regjistrimi i procedimit u bë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dërgoi një javë më parë zyrtarisht gjetjet për ish-prokurorin e përgjithshëm.

Dosja do të hetohet nga kryetarja e Prokurorisë së Durrësit Donika Prela, ndërkohë që organi i akuzës në qytetin bregdetar ka kërkuar informacione nga disa institucione. Burimet thanë se për ish-prokurorin e përgjithshëm, akuza e Durrësit ka kërkuar informacione nga Hipoteka, Tatimet si dhe ILDKPI e cila ende nuk ka dërguar pasurinë e Adriatik Llallës që nga koha që ai mori drejtimin e organit të akuzës.

Pak kohë më parë Adriatik Llallës dhe familjes së tij iu ndalua hyrja në SHBA, për shkak të dyshimeve se ishte përfshirë në afera të mëdha korruptive. Urdhri për ndalimin u firmos nga ish sekretari për shtetin, Rex Tillerson.