TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka deklaruar se opozita gjendet në vështirësi, pasi protestuesit vendosin shenjë barazie mes Ramës dhe Berishës.
Ai deklaroi se Berisha duhet të qëndrojë kryetar nderi i PD-së, por t’i hapë rrugë një lidershipi të ri.
Pjesë nga biseda
Fevziu: Opozita ka qenë në situatë të sikletshme. Protesta e vuri në siklet, protestonte edhe opozita për gjëra të ngjashme gjatë vitit, por nuk kishte atë mbështetje. Një incident i vogël nxorri në rrugë gjithë qytetarët, por kur e bën opozita organizimin nuk është kjo përkrahje. Kjo e ka lënë pak në situatë të vështirë. E dyta, pjesa më e madhe e protestuesve vënë një shenjë barazimi midis Ramës dhe Berishës.
Rakipi: Rama n’burg, Berisha n’burg thonë ata.
Fevziu: Nuk besoj se është e drejtë, por është e drejta e tyre. Ata e kanë pak të vështirë t’i qasen si opozitë protestës. Kanë deklaruar se kanë çuar njerëzit e tyre pa simbole, por kaq. Edhe opozita është në situatë të vështirë. Sa i takon Parlamentit, me shifrat që ka Rama, opozita e ka shumë të vështirë të bëjë diçka. Nuk bën dot.
Rakipi: Nuk po kapitalizojnë dot, me gjithë këto skandale.
Fevziu: Do ta shohim pak më vonë. Ke të drejtë që nuk kapitalizon në kuptimin që të nxjerrë njerëz në rrugë. Ka dy lloj kapitalizimi, që të nxjerrësh njerëzit në rrugë dhe të paralizosh qeverisjen, kjo opozitë nuk e bën dot, opozita nuk e bën dot, as protesta nuk po e bën. Një tjetër është që të marrësh t’i demaskosh dhe të shkosh në zgjedhje. Opozita nuk ka bërë pak denoncime, një pjesë e denoncimeve në SPAK është bërë nga opozita. Agasi, AKSH-i, etj.
Beteja e parë reale e pushtetit me opozitën, me të pakënaqurit, do të jenë zgjedhjet lokale, me sa duket në 9 maj.
Çfarë po ndodh me Ramën? Është koshient që në Tiranë nuk e ka mbështetjen siç e ka patur. E dyta, Manastirliu me gjasë nuk është kandidatja e duhur në rrethanat e reja të krijuara.
Rakipi: Tani doktori duket i palëkundur aty. Si e sheh këmbënguljen për ta drejtuar PD-në deri në fund të jetës? Madje, larg qoftë, edhe pas vdekjes do ta gjejmë aty.
Fevziu: Kam thënë të jetë kryetar nderi dhe të lërë dikë të drejtojë de facto partinë.
Rakipi: Ka nder ky po të rrijë kryetar nderi? Pse rri, pse shtrëngohet kaq shumë?
Fevziu: Ai pësoi një goditje nën brez, ishte larguar, bënte deklaratat e tij. Ai nuk e mori vetëm nga kundërshtarët që lobuan për ta shpallur non grata, por edhe nga partia e tij, nga njeriu që kishte zgjedhur vetë.
Rakipi: Berisha sot është pengesë për PD-në, apo garant për ekzistencën e partisë?
Fevziu: Janë të dyja. Qënia e Berishës në krye nuk i jep hapësirë PD-së për lidership të ri, por qëndron e unifikuar për shkak të Berishës. Prandaj kam thënë të qëndrojë si kryetar nderi.
Puna është që të lërë garë dhe jo të emërojë tjetrin.