AKTUALITET, 3 August 2026, 16:38

Edhe deputeti i PS-së del kundër Ramës për shkrirjen e Selenicës: Prodhon 35 mijë tonë naftë bruto i jepni 0.5% të vlerës

Pas kryetarëve të bashkise socialiste dhe administratës së tyre, kryeministrit Edi Rama i ka dalë kundër projektit të reformës territoriale administrative edhe deputeti i parë brenda grupit parlamentar.

Vullnet Sinaj deputet i qarkut të Vlorës dhe përfaqësues i Selenicës, në një reagim publik kundërshton propozimin e mazhorancës dhe specifikisht shkrirjen e Bashkisë së Selenicës. Ai thotë se Selenica i plotëson kriteret për të qenë bashki dhe jep argumentet e tij.

Komisioni pretendon se treguesit ekonomikë të Bashkisë Selenicë janë të ulët, duke u mbështetur te numri i bizneseve. Po si ka mundësi që anëtarët e Komisionit kanë harruar se Selenica ka brenda territorit të saj dy nga pasuritë minerare më të rëndësishme të vendit. 

Minierën e Selenicës dhe ndërmarrjen më të madhe të prodhimit të naftës në Shqipëri, atë të Gorrishtit. A ka dijeni Komisioni sa rentë minerare përfiton shteti nga prodhimi i rreth 35 mijë tonëve naftë bruto në vit nga Gorrishti i Selenicës? Problemi i vërtetë qëndron te ligji për taksat kombëtare. Bashkive që kanë pasuri natyrore u kthehet vetëm 5% e rentës minerare (e cila është 10%), që në praktikë përkthehet në vetëm 0.5% të vlerës së prodhimit.

Gjithashtu Sinaj thotë se nuk është e nevojshme shkrirja e bashkive, por rritja e grantit nga qeveria për to.

Rreth 90% e buxhetit administrohet nga qeveria qendrore, ndërsa vetëm 10% u shkon 61 bashkive të vendit. Kam bindjen se transfertat e pakushtëzuara që marrin bashkitë nga buxheti i shtetit janë shumë të ulëta. Nëse do të bënim një ndarje të drejtë të buxhetit të shtetit duke shtuar buxhetin për qeverisjen vendore, nuk do të kishim nevojë të zvogëlojmë numrin e bashkive, por të rrisim financimin e tyre, veçanërisht për investime në infrastrukturë, duke mbështetur bashkitë që kanë më shumë nevojë.

Banorët e Bashkisë së Selenicës prej disa ditësh kanë nisur protestat kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit me Vlorën. Ata kanë kërkuar që qeveria të marrë parasysh kërkesat e tyre.