AKTUALITET, 3 August 2026, 12:51

Kredi deri në 2 milionë euro për bizneset, Koçiu prezanton programin për agroturizmin dhe agropërpunimin

Zv/kryeministrja Albana Koçiu dhe Ministri i Bujqësisë Andis Salla inspektuan një fabrikë të përpunimit të qumështit në Pogradec, biznes i cili mund të përfitojë nga programit i financimit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Ata u bënë thirrje bizneseve të aplikojnë për të përfituar nga programi 250 mln euro, që do të jepen me një garanci sovrane nga shteti.

“Programi më i ri i qeverisë, ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’, ka të bëjë pikërisht me bizneset, me agroturizmin dhe agropërpunimin, për t’u dhënë mundësinë që, përmes një kredie të lehtësuar deri në 10 vjet dhe me një interes prej vetëm 2-3%, të përfitojnë financim deri në 2 milionë euro”, u shpreh Koçiu.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vuri theksin tek investimet në rritjen e sigurisë ushqimore dhe rëndësinë e përgatitjes së prodhimeve shqiptare për tregjet e huaja.

“Vendi po avancon në procesin e integrimit dhe prodhimet shqiptare duhet të plotësojnë standardet dhe cilësinë e lartë për tregjet e huaja. Investimet në teknologji dhe politikat financiare mbështetëse janë të rëndësishme për të garantuar siguri ushqimore të lartë për konsumatorët vendas dhe të huaj”, deklaroi Salla.