AKTUALITET, 22 Maj 2018, 08:44

Dyshohet se është anëtar i ISIS, arrestohet nga policia greke shqiptari në Kakavijë

Dyshohet se është anëtar i ISIS, arrestohet nga policia greke

Policia greke ka arrestuar pasditen e djeshme në pikën kufitare të Kakavijës shqiptarin Leonardo Rustemi nga Berati.

Gazetarja Brikena Metaj duke iu referuar burimeve policore raporton për “BalkanWeb” se emri i Rustemit ishte në listën e personave të dyshuar si anëtarë të organizatës terroriste ISIS. Shqiptari u arrestua teksa po udhëtonte me autobusin e linjës Berat-Athinë dhe kishte si destinacion Pireun.

Ai kishte kaluar normalisht në doganën shqiptare, por është arrestuar në doganën greke pas verifikimeve dhe kontrollit të dokumenteve nga policia greke.

Sipas policisë greke, shqiptari kishte jetuar për disa kohë në Lindjen e Mesme dhe Turqi dhe figuronte në listën e të dyshuarve si anëtar i Shtetit Islamik.

Ai do dërgohet në gjykatën e Janinës, e cila do të vendose nëse do të gjykohet në Greqi apo do të ekstradohet për llogari të ndonjë vendi tjetër.

BalkanWeb