TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 41-vjeçarin, Myslim Estrefi, i cili dyshohet se përplasi me makinë për vdekje bashkëfshatarin e tij (të afërm me njëri-tjetrin), Shaqir Estrefi, 57 vjeç.
Seanca për masën e sigurisë u mbajt mesditën e sotmem 13 tetor.
Fillimisht, Myslim Estrefi, e ka raportuar ngjarjen si aksidentale pranë Policisë, por hetimet kanë treguar se bëhej fjalë për një vrasje me dashje për hakmarrje, pasi 14 vite më parë, babai i viktimës, Qamil Estrefi, pati vrarë babanë e autorit, Zydi Estrefi.
Mësohet se në momentin e ngjarjes, 41-vjeçari ishte duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, pasi gjatë drekës kishte konsumuar alkool.
Myslim Estrefi u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi dyshohet se përplasi qëllimisht shtetasin Shaqir Estrefi, 41 vjeç, për hakmarrje.
HAKMARRJA PËR TË ATIN
Nga hetimet, Policia zbuloi se nuk ishte një aksident automobilistik, por një përplasje e qëllimtë e autorit ndaj viktimës, 57 vjeç, duke marrë hak për babanë që ishte vrarë më armë zjarri nga i ati i viktimës 14 vite më parë.
“Falë veprimeve profesionale rezultoi se ngjarja e ndodhur nuk ishte aksident rrugor, por dyshohet vrasje me dashje për hakmarrje. Shtetasi M.I. dyshohet se ka goditur shtetasin Sh. E. për motive hakmarrje, pasi shtetasi Q.E. (babai i viktimës) në vitin 2006 ka vrarë shtetasin Z.I. (babai i të dyshuarit).
Si rezultat i këqyrjes së vendit të ngjarjes, provave të grumbulluara dhe veprimeve profesionale të kryera, bënë të mundur zbardhjen e shkakut të ngjarjes dhe arrestuan në flagrancë shtetasin Myslim Estrefi, i cili akuzohet për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’”, bëri të ditur Policia.
Ndërkohë, për të bërë dokumentimin sa më të plotë të kësaj ngjarjeje, Policia e Durrësit ka marrë edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës.
Kanë qenë këta të fundit, të cilët kanë insistuar duke thënë se vdekja e 57-vjeçarit nuk ishte aksidentale, por e qëllimtë nga ana e 41-vjeçarit. Ata kanë treguar konfliktin që kanë me familjen e Myslim Estrefit, atë të hasmërisë.
AUTORI: NUK DOJA TA VRISJA
Shtetasi Myslim Estrefi është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë së Durrësit për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e shtunë.
41-vjeçari është shprehur se hasmërinë me familjen e Shaqir Estrefit e kishin harruar dhe se nuk kishte për qëllim të vriste 57- vjeçarin. Sipas tij, ngjarja është aksidentale.
“Nuk doja ta vrisja Shaqirin, ka qenë një aksident. Ngjarjen e ndodhur 14 vite më parë e kemi harruar të gjithë si familje, jeta jonë vazhdonte normale. Momentin e aksidentit nuk e kam vënë re Shaqirin, ishte duke ecur në rrugë ku kalojnë makinat”, është shprehur 41-vjeçari para oficerëve të Policisë.
Zbardhet konflikti i dy familjeve Estrefi, sherri për një gardh
Përplasja mes dy familjeve Estrefi në Romanat të Durrësit e ka zanafillën që prej se 20 vitesh për arsye pronësie. Familjet kishin ndezur një konflikt me njëra-tjetrën për një copë tokë, të cilën pretendonin se u takonte, aty ku edhe kishin vendosur një gardh ndarës.
Gardhi ka qenë molla e sherrit që degjeneroi më pas nga konflikt verbal në konflikt fizik dhe më pas deri në përdorimin e armëve. Konfliktet mes këtyre dy familjeve u bënë aq të shpeshta dhe të zakonshme, saqë në vitin 2006 situata agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Në përplasje e sipër, Qamil Estrefi qëllon me armë zjarri Zydi Estrefin, i cili, për shkak të plagëve të marra, ndërroi jetë në vend. Asokohe, Policia arrestoi shtetasin Qamil Estrefin si autor të ngjarjes dhe Gjykata e dënoi me disa vite burg për vrasjen e kushëririt. Pasi kreu disa vite burg, Qamil Estrefi u lirua nga qelia, por disa vite më vonë ndërroi jetë.
“Kjo ngjarja e ndodhur të shtunën e ka zanafillën këtu e 14 vite më parë. Mes dy familjeve, pavarësisht se nuk kishte pasur përplasje të tjerë pas vrasjes së ndodhur në vitin 2006, ato nuk kishin marrëdhënie me njëra-tjetrën. Shkak për konfliktin në atë kohë u bë një çështje pronësie”, tha për gazetën një i afërm i tyre.
Por, pavarësisht veprimit të drejtësisë, duket se 41-vjeçari Estrefi nuk e kishte harruar ngjarjen. Të shtunën, ai e ka parë Shaqir Estrefin duke ecur në këmbë në rrugë dhe e ka përplasur me makinën e tij teksa, sipas njoftimit të Policisë, ishte në gjendje të dehur.
Fillimisht e ka raportuar ngjarjen si aksidentale pranë Policisë, por hetimet kanë treguar se bëhej fjale për një vrasje me dashje për hakmarrje. Myslim Estrefi u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”./Panorama/