AKTUALITET, 13 Tetor 2020, 13:31

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar: Qeveria britanike e zhgënjyer, që nuk pati konsensus për reformën zgjedhore

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar: Qeveria britanike e


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Duncan Norman, ka komentuar edhe njëherë reformën zgjedhore dhe miratimin pa konsensus të Kodit Zgjedhor.

Norman tha se palët shkuan përtej 5 qershorit, por më pas për ndryshimet e reja nuk u arrit konsensusi, ç'ka ai e quajti zhgënjyese për qeverinë britanike. Ambasadori tha se Shqipëria ka një histori të të bërit reforma elektorale me konsensus dhe se në këtë rast një gjë e tillë nuk ndodhi.

"Marrëveshja e 5 Qershorit nuk ka ndryshuar, ajo që ndryshoi më pas ishin, disa ndryshime të tjera Kushtetuese dhe ndryshime të reformës zgjedhore, të cilat shkuan përtej marrëveshjes së 5 qershorit. Unë e kam thënë, se qeveria britanike ka qenë e zhgënjyer, që këto ndryshime të tjera, u bënë pa e shteruar mundësinë për konsensus. Ky pozicion nuk ka ndryshuar. 

Jam i zhgënjyer, sepse Shqipëria ka një histori të gjatë të të bërit reforma elektorale në mënyrë konsensuale. Fatkeqësisht këtë herë kjo gjë nuk ndodhi", u shpreh Norman.

Qëndrimi i ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar ka qenë i qartë që prej momentit kur mazhoranca vendosi të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme. Ambasadori Norman ka shprehur keqardhjen për mungesën e konsensusit në një çështje kaq të rëndësishme, si vendosja e rregullave të lojës për zgjedhjet e ardhshme.

I pyetur për qëndrimet e fundit të ashpra të Presidentit Meta, Norman refuzoi të komentojë deklarat e presidentit, duke u kujtuar gazetarëve se ai është një ambasador i huaj dhe nuk i takon të komentojë deklaratat e Presidentit të Republikës.

"Nuk mendoj se është e drejtë, që unë si një ambasador i huaj, të komentoj ato që ka thënë apo nuk ka thënë Presidenti i Republikës", u shpreh Norman.

Ambasadori deklaroi gjithashtu se formimi i Gjykatës Kushtetuese, është një prioritet absolut.

"Është shumë e rëndësishme të formohet sa më parë Gjykata Kushtetuese, sepse ka një rol jo vetëm për zgjedhjet, por më gjerë. Ky duhet të jetë një prioritet absolut. Sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, çdo vend mund t'i ketë zgjedhjet të lira dhe të ndershme, për sa kohë politikanët punojnë sëbashku për ta arritur këtë gjë. Vullneti politik ndonjëherë është më i rëndësishëm se sistemi", tha Norman.

/TPZ.al/