AKTUALITET, 5 September 2026, 13:28

Dy vatra të reja zjarri në Vlorë, flakët përfshijnë ullishtet në Kot dhe Panaja

Dy vatra të reja zjarri janë evidentuar në qarkun e Vlorës, në kodrat e fshatit Kot, në bashkinë Selenicë, dhe në zonën e Kriporës, pranë fshatit Panaja.

Në Kot, zjarri vijon të përparojë në terren duke përfshirë edhe sipërfaqe me ullishte. Era dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve dhe vështirësojnë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Në vendngjarje ndodhen zjarrfikësit e Selenicës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrës.

Ndërkohë, një tjetër vatër është aktive në zonën e Kriporës, pranë Panajasë. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me bimësi të ulët dhe shkurre.

Shërbimet zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në të dyja zonat, ndërsa situata po monitorohet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.