AKTUALITET, 14 Prill 2018, 12:55

Drejtonin automjetet në gjendje të dehur, katër arrestohen, dhjetëra të tjerë gjobiten

Qarkullimi brenda dhe jashtë kryeqytetit është bërë tepër i vështirë për shkak të trafikut të rënduar. Krahas kësaj situate, policia ka vërejtur edhe një tjetër problematikë. Drejtues mjetesh që lëvizin pa dokumente dhe në gjendje të dehur. Madje ka nga ata që nuk respektojnë shenjat e qarkullimit rrugor. Për këtë aresye janë marrë sërish masa edhe këtë fundjavë.

Njoftimi

Policia Rrugore e Tiranës kontrolle me Drager e Radar në rrugët interurbane dhe urbane për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

Edhe pse kontrollet e Policisë Rrugore të Tiranës janë intensifikuar ditë pas dite në drejtim të konstatimit të shkeljeve si shpejtësia mbi normat e lejuara apo drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit përsëri në fundjavë evidentohen raste drejtimi mjeti në mënyrë të parregullt që përbëjnë rrezik potencial për jetën e vetë drejtuesve, por edhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm janë pezulluar :

- 15 Leje Drejtimi për shpejtësi të rrezikshme për përdoruesit e rrugës

- 13 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit

Gjatë kontrolleve të kryera, policia rrugore ka konstatuar dhe arrestuar drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi.

Konkretisht :

- Në rrugën “Xhorxh W Bush” shtetasi me iniciale Sh.R., 57 vjeç, u verifikua se drejtonte motomjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.59 mg/l.

- Në rrugën “Ibrahim Rugova” shtetasi me iniciale E.B., 21 vjeç, u verifikua se drejtonte mjetin nën efektin e alkolit në masën 0.56 mg/l.

- Në rrugën “Xhorxh W Bush” shtetasja me iniciale I.D., 37 vjeçe, u verifikua se drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.52 mg/l.

- Në rrugën “Selim Brahja” shtetasi me iniciale A.T., 20 vjeç u verifikua se drejtonte mjetin i papajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor duke kontribuar në rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.