AKTUALITET, 14 Prill 2018, 12:46

Basha mbledh sot kryesinë, dy drafte për ndryshimet në statutin e PD

Kreu i PD-së, Lulzim Basha do të mbledhë sot pasdite në orën 18:00 kryesinë e partisë për të diskutuar mbi ndryshimet e reja statutore. Dokumenti final ende nuk është mbyllur, por në kryesi do të diskutohen të paktën dy drafte që janë propozuar nga ata që njihen si kritikë të Lulzim Bashës. Një grup i përfaqësuar në kryesi nga Gent Malko ka paraqitur një dokument prej 9 faqesh me ndryshime konkrete, ku bie në sy kërkesa për votëbesimin e Bashës. Të parat propozime janë ato të disa prej anëtarëve të kryesisë, të njohur si kritikë të Bashës, të cilët i kërkojnë Këshillit Kombëtar vendimmarrjen për t’i paraqitur votëbesimin e Bashës si kryetar përpara Kuvendit Kombëtar. Ndërsa dy prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar në propozimet e tyre kërkojnë që nëse partia humbet dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme, atëherë kryetari i saj jep dorëheqjen e menjëhershme, ose shkarkohet nga Këshilli Kombëtar.

Por, pavarësisht këtyre propozimeve, figurat më të rëndësishme të PD si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Ridvan Bode e Astrit Patozi nuk janë bërë pjesë e këtij procesi, pasi për ta problemi nuk qëndron tek statuti i demokratëve. Kryesia e PD-së i paraprin mbledhjes së Këshillit Kombëtar të partisë. Ky forum mësohet se do mblidhet më 20 prill. Në mbledhjen e këshillit miratohen në mënyrë paraprake ndryshimet në statut, ndërsa dokumenti final miratohet në Kuvendin Kombëtar të PD-së, i caktuar të mblidhet më 28 dhe 29 prill. PD-ja është drejt përgatitjeve përfundimtare për në Kuvendin Kombëtar, që është thirrur më 28 dhe 29 prill, i cili nuk do të ketë karakter zgjedhor, por vetëm për miratimin e statutit. Në selinë blu një grup pune i përbërë nga sekretarët Arben Ristani, Enno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli po punojnë për ndryshimet statutore, ndërsa nesër kryesisë së kësaj force politike do t’i prezantohen për debat disa parime që pritet të ndryshohen në ligjin themeltar, mbi të cilin funksionon Partia Demokratike. Pas diskutimit në kryesi, parimet do të draftohen dhe javën e ardhshme do të diskutohen në Këshillin Kombëtar e më pas do miratohen në Kuvend. Pranë grupit të punës, propozime për ndryshime statutore kanë paraqitur dhe ata që njihen si kritikët e Lulzim Bashës. Në Kuvendin Kombëtar ftesë kanë edhe ish-deputetët kritikë të Bashës, duke filluar nga Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi e Ridvan Bode, edhe pse nuk janë delegatë. Por sipas Sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, Kuvendi do të jetë një moment bashkimi për partinë më të madhe të opozitës dhe të gjithë këto figura të rëndësishme të PD kanë të drejtën të kandidojnë edhe për Këshillin e ri Kombëtar. “Së pari, mjaft do të jenë të ftuar, qoftë edhe nominalisht nga kryetari i partisë. Sigurisht janë pjesë e jona e qenësishme dhe kanë të gjitha mundësitë për të nxjerrë platformat e tyre për t’i debatuar, për t’i diskutuar. Kuvendi është i hapur”, shprehet z.Ristani.

‘Sulm’ ndaj Bashës në prag të Kuvendit

Patozi: Problemet në PD nuk i zgjidh statuti

Demokratët presin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe miratimin e ndryshimeve statutore, por ish-nënkryetari i kësaj partie, Astrit Patozi nuk e kursen ironinë ndaj Lulzim Bashës, të cilin e sheh si të vetmin përgjegjës për krizën që ai thotë se ndodhet Partia Demokratike. “Dalja nga kriza – shprehet ai – nuk mund të vijë përmes ndryshimeve të reja statutore, proces në të cilin refuzon të jetë. ‘Dashnorët’ e statutit duhet ta dinë që askush prej nesh nuk e çon nëpër mend se kjo krizë dhe çarje e madhe në PD ka ardhur për shkak të librit të rregullave dhe as që mund të ndreqet vetëm prej tij. Sepse Lulzim Basha dhe kushdo tjetër që qëndron pas tij, siç shpërfilli dhe nuk e respektoi kurrë të vjetrin, ashtu mund të hedhë në kosh edhe të riun. Sa për ne të tjerët, merreni, ziejeni dhe pijini lëngun atij statutit të ri, që do të miratojë Kongresi i Vazhdimësisë, sepse ai nuk i duhet as dreqit”, shprehet z.Patozi. Akuzat se e ka kthyer PD-në në biznes familjar, ish-nënkryetari i demokratëve ia rikujtoi sërish Lulzim Bashës. “Vërtetë mendoni ju se ne jemi aq naivë sa të presim edhe 3 vjet të tjera që të provojmë se Luli nuk të gënjen edhe për orën? Edhe në statutin aktual nuk thuhet gjëkundi që vendimet për marrëveshje apo mosmarrëveshje, aleanca apo koalicione i merr një njeri i vetëm apo që të bësh karrierë në PD duhet të kalosh patjetër në skanerin apo në llogarinë e kunatit”, shprehet z.Patozi.