AKTUALITET, 17 Prill 2020, 15:40

Dr.Luli / Mjeku Dhimitër Kraja mban premtimin, rikthehet të ndihmojë tek Infektivi. Kolegu: ‘Eminenca’ sërish në punë!

Mjeku i njohur, Dhimitër Kraja, apo i njohur nga të gjithë, si Dr.Luli, premtoi se do të rikthehej në spital për të ndihmuar kolegët, pasi të shërohej plotësisht nga koronavirusi. Dhe ai e ka mbajtur fjalën.

Sot, Dr.Luli është rikthyer në pavionin e Spitalit Infektiv për të ndihmuar kolegët, edhe pse pas më shumë se 40 vitesh punë kishte dalë në pension.

Foton e profesorit në pavion e ka postuar mjeku radiolog, Renato Osmani, i cili në komentin e tij shkruan: “Eminenca sërish në punë! Flm Prof. Kraja!”.

Edhe pse kishte dalë në pension, Kraja iu bashkua kolegëve të tij, për të ndihmuar në trajtimin e të prekurve me COVID-19, në spitalin Infektiv, ku dhe u infektua nga koronavirusi.

Për fat të mirë, tashmë ai arriti ta mundte koronavirusin, por infektimi i tij trishtoi mbarë opinionin publik, si shembulli i vetsakrificës përballë COVID-19.