SPORT, 27 August 2026, 21:52

Dinamo “digjet” në fund, ekipi i Ilir Dajës mposhtet nga Pafos dhe i thotë lamtumirë ëndrrës europiane

Dinamo është eliminuar nga Europa, pas një disfate dramatike 4-2 ndaj Pafosit në Qipro, në ndeshjen e kthimit të play-off-it të Conference League. Blutë luftuan deri në fund dhe dy herë arritën të rikthehen në lojë, por gjithçka u vendos në kohën shtesë, ku skuadra qipriote shënoi dy gola dhe i dha fund ëndrrës europiane të Dinamos.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për ekipin e drejtuar nga Ilir Daja. Në minutën e 8-të, Fadairo përfitoi nga një aksion i mirë i bluve dhe kaloi Dinamon në avantazh.

Pafos reagoi vetëm pak minuta më vonë. Në të 12-ën, Sema barazoi shifrat me një gjuajtje nga distanca, me topin që u devijua dhe përfundoi në rrjetë. Goli shkaktoi protesta të forta nga dinamovitët, të cilët pretenduan për një faull në aksionin para golit.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa në fraksionin e dytë të dyja skuadrat vijuan të luftonin për avantazhin.

Në minutën e 79-të, Pafos përmbysi rezultatin me Ioannou, i cili shënoi me kokë pas një harkimi nga krahu i djathtë.

Dinamo, megjithatë, reagoi menjëherë dhe tregoi karakter. Në minutën e 87-të, pas një goditjeje këndi, Silva-Richards u gjend në vendin e duhur dhe dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar në 2-2.

Ky rezultat e çoi ndeshjen në kohën shtesë dhe gjithçka mbeti e hapur.

Dinamo rezistoi edhe në pjesën e parë të shtesës, duke e mbajtur rezultatin të pandryshuar.

Por në minutën e 116-të, Quina shënoi golin e tretë të Pafosit dhe riktheu vendasit në avantazh.

Goditja për Dinamon ishte fatale. Në 120+1′, Silva vulosi fitoren 4-2 të Pafosit dhe i dha fund përfundimisht shpresave të bluve.

Kështu, Dinamo eliminohet nga Conference League, pas një ndeshjeje që e kishte në duar në disa momente, por që përfundoi në mënyrën më dramatike të mundshme.

Blutë ishin vetëm pak minuta larg një kapitulli historik europian, por dy golat e pësuar në fund të shtesës i dhanë fund aventurës së tyre.

REZULTATI:

PAFOS 4-2 DINAMO

Sema 13′, Ioannou 78′, Quina 116′, Silva 120+1′ / Fadairo 8′, Silva-Richards 88′