SPORT, 25 August 2026, 23:04

Shkaktoi aksident me Lamborghini-n 270 mijë paund/ Raheem Sterling rrezikon deri në 2 vite burg

Futbollisti anglez Raheem Sterling është akuzuar zyrtarisht për ngasje të rrezikshme, posedim të oksidit të azotit për inhalim të paligjshëm dhe refuzim për të dhënë një mostër për analizë, pas aksidentit me Lamborghini-n e tij me vlerë rreth 270 mijë paund.

Sipas policisë britanike dhe raportimeve të mediave vendase, aksidenti ndodhi më 28 maj 2026 në autostradën M3, pranë kryqëzimit Minley, në Hampshire. Lamborghini i Sterling u përplas me barrierat anësore të rrugës, ndërsa nuk u përfshinë automjete të tjera dhe nuk pati persona të lënduar. 

Ngjarja u raportua fillimisht nga drejtues të tjerë automjetesh, të cilët kishin vënë re makinën e Sterling duke lëvizur në mënyrë të paqëndrueshme në autostradë. Sipas raportimeve, automjeti kalonte nga njëra korsi në tjetrën pak para përplasjes me barrierat. 

Pas aksidentit, 31-vjeçari u arrestua fillimisht nën dyshimin për drejtim të automjetit nën efektin e drogës, ngasje të rrezikshme, posedim të një substance të klasit C dhe refuzim për të dhënë mostrën e kërkuar nga autoritetet. Ai më pas u lirua me kusht, ndërsa hetimet vijuan. 

Tashmë çështja ka kaluar në fazën e procedimit penal. Policia e Hampshire dhe Isle of Wight ka konfirmuar akuzat ndaj Sterling, i cili do të paraqitet më 15 shtator përpara Gjykatës së Magjistratëve në Basingstoke. 

Një prej akuzave lidhet me posedimin e oksidit të azotit, i njohur si “gazi i të qeshurit”. Substanca është klasifikuar si drogë e kontrolluar e klasit C në Mbretërinë e Bashkuar që nga nëntori i vitit 2023. 

Nëse shpallet fajtor për ngasje të rrezikshme, Sterling mund të përballet me një dënim deri në dy vite burg, megjithëse vendimi dhe masa konkrete do të varen nga procesi gjyqësor. 

Lajmi vjen në një periudhë të vështirë edhe në aspektin sportiv për Sterling. Pas largimit nga Chelsea, ai iu bashkua Feyenoord në shkurt, por aventura në Holandë nuk shkoi sipas pritshmërive. Sipas raportimeve, ai zhvilloi vetëm tetë ndeshje në të gjitha kompeticionet, pa shënuar gol dhe me vetëm një asistim, ndërsa aktualisht është pa klub. 

Sterling, ish-lojtar i Liverpool, Manchester City, Chelsea dhe Arsenal, ka 82 paraqitje me kombëtaren e Anglisë dhe 20 gola të shënuar në nivel ndërkombëtar.