SPORT, 26 August 2026, 19:24

Përshkallëzohen tensionet për Julian Alvarez, Atletico Madrid: Nuk shkon te Barcelona, çështje dinjiteti

Tensionet mes Atletico Madrid dhe Julian Alvarez po rriten ndjeshëm, ndërsa e ardhmja e sulmuesit argjentinas mbetet e paqartë në ditët e fundit të merkatos. Pas barazimit 2-2 ndaj Villarrealit, Atletico u rikthye në stërvitje, por Alvarez mungoi në seancën e radhës për shkak të disa shqetësimeve shëndetësore gjatë natës. Megjithatë, situata rreth tij lidhet edhe me të ardhmen në merkato.

Argjentinasi prej javësh ka shprehur dëshirën për t’u transferuar te Barcelona, ndërsa Atletico nuk dëshiron ta lejojë një lëvizje të tillë. Drejtuesit madrilenë preferojnë që Alvarez të transferohet te Arsenali, por sulmuesi nuk e konsideron aktualisht rikthimin në Angli dhe vazhdon të presë Barcelonën. Në këtë klimë të tensionuar, Atletico Madrid ka reaguar ashpër përmes një komunikate dërguar gazetës spanjolle Marca.

“Futbollisti po bën viktimën, por viktima e vetme në rastin Julian jemi ne. Na kanë dëmtuar ekonomikisht dhe në aspektin social. Ka 0% shanse që ta transferojmë te Barcelona. Kjo nuk është çështje parash, por çështje dinjiteti”, thuhet në reagimin e klubit. Atletico akuzon gjithashtu se rreth kësaj çështjeje është krijuar një “fushatë gënjeshtrash dhe gjysmë të vërtetash”, duke theksuar se klubi madrilen është ai që po përballet me pasojat.

Laporta irriton Atleticon
Një tjetër pikë tensioni ishte deklarata e presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, i cili konfirmoi publikisht interesin për Alvarez. “Ne jemi gati ta blejmë nëse Atletico tregon gatishmëri për të pranuar një marrëveshje ekonomike. Jemi shumë të interesuar dhe do të donim që ta pranonin”, deklaroi Laporta.

Ai tregoi se kishte kontaktuar me Miguel Ángel Gil Marín dhe se nga Atletico i ishte komunikuar se nuk kishin ndërmend ta shisnin lojtarin për shkak të mungesës së alternativave. Laporta shtoi se Barcelona e di dëshirën e Alvarez për t’u bashkuar me katalanasit dhe se klubi mbetet i gatshëm për një marrëveshje nëse Atletico ndryshon qëndrim.

Por përgjigjja nga Madridi ka qenë e prerë: asnjë shitje e Julian Alvarez te Barcelona.

Atletico kërkon alternativa
Duke parë situatën gjithnjë e më komplekse dhe mundësinë që çështja të mbetet e hapur deri në ditët e fundit të merkatos, Atletico ka nisur të shqyrtojë alternativa për sulmin.

Në orët e fundit, klubi madrilen ka analizuar edhe mundësinë e Jonathan David, i cili pritet të largohet nga Juventusi. Megjithatë, deri tani nuk raportohet të ketë pasur kontakte konkrete mes Atleticos dhe klubit torinez. E ardhmja e Julian Alvarez mbetet kështu një nga çështjet më të nxehta të merkatos, me Barcelonën që nuk e fsheh interesin dhe Atletico Madrid që këmbëngul se nuk do ta shesë argjentinasin në Camp Nou.