AKTUALITET, 27 Mars 2019, 12:04

DETAJE/ Ky është i riu që vrau Nard Polinë (emri)

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur të lërë në burg tre personat e dyshuar si bashkëpunëtor të vrasësit të biznesmenit, 32-vjeçar, Nardi Polia.

Gjykata vendosi masën arrest me burg për Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini.

Ndërkohë që sot gjatë seancës është zbuluar dhe emri i personit që dyshohet se ka qëlluar biznesmenin Polia.

Dyshohet se vrasja është kryer nga Kristian Sulaj, ky i fundit është vëllai i Alfred Martinit, por ai ka ndryshuar gjeneralitetet.

Kristian Sulaj dyshohet se ka kaluar përmes pikës kufitare të Murriqanit dhe është larguar nga Shqipëria.

Dy vëllezërit Toma pretendojnë se i kanë dhënë makinën tip “Audi”, vëllezërve Martini. Ndërsa këta të fundit pretendojnë të kundërtën, se mjetin ia kanë dhënë ata Gilbertit dhe Kleandro Tomës.

Ngjarja

Ferdinant Polia, ose siç njihej ndryshe në zonën e tij, Nardi, ishte një prej promotorëve të turizmit malor në zonën e Thethit.

32-vjeçari u ekzekutua të mërkurën e kaluar në momentin kur ndodhej në fshatin Grudë, ku kishte dërguar fuoristradën e tij në një servis.

Autori i dyshuar K.S., 29 vjeç, e qëlloi atë me breshëri të një arme amerikane “Tompson”, pasi i preu rrugën me motor.

Pasi zbriti qetësisht nga motori “T Max”, 29-vjeçari qëlloi me breshëri ndaj Polisë, duke e lënë të vdekur në vend. Në makinë bashkë me 32-vjeçarin e vrarë ndodhej dhe një prej punonjësve të servisit.

Nisur nga rrethanat e ngjarjes, Nard Polia nuk ruhej aspak, pasi ai nuk ka bërë asnjë veprim për t’u mbrojtur dhe gjithçka i ka ardhur në mënyrë të papritur. 32-vjeçari ka jetuar deri para 4 vitesh në Itali.

Në vendin fqinj ai është arrestuar nga Policia në vitin 2010, me akuzën e trafikimit të drogës, shfrytëzimit të prostitucionit dhe vjedhjes me dhunë. Bashkë me të u arrestuan dhe disa shqiptarë të tjerë.

Polia rezulton se është dënuar me 4 vite heqje lirie dhe në përfundim të burgut është dëbuar nga autoritetet për në Shqipëri.

Pas kthimit në vendin e tij të lindjes, Nard Polia nisi të investojë në turizëm, si dhe u bë pjesë e Administratës për Zonat e Mbrojtura, detyrë që e mbante deri në ditën e vrasjes.