TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeprokurorja Arta Marku dhe kreu i KLP, Gent Ibrahimi kanë qenë sot të pranishëm në analizën e Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Apelit.
Gjatë fjalës së saj, Marku nuk i kurseu kritikat ndërsa theksin e ndali tek hetimet e shpejta dhe të pa ndikuara që duhet të bëjnë prokurorët. Ajo kërkoi veçanërisht hetimin e shpejtë të çështjeve të cilat kanë dhe interes të lartë publik.
“Në prokurorinë e Tiranës ngarkesa ka qenë më e madhe dhe si duket kjo ka ulur cilësinë dhe efektivitetin në punë. Nuk jeni përqendruar në çështje sa duhet. Çështje mjaft të rëndësishme janë zvarritur pa justifikim, rrinë në sirtarë prej vitesh me një mungesë të theksuar përgjegjësie.
Vërehen hetime të pakta dhe jo të suksesshme, kjo është përgjegjësi e secilit prej jush, përgjegjësi individuale. Kërkoj veçanërisht që të hetoni shpejt ato çështje ku ka vëmendje të shtuar nga opinioni publik. Ushtroni detyrën tuaj larg çdo ndikimi politik”,- tha ajo.
Nga ana e tij, Gent Ibrahimi kërkoi bashkëpunim me prokurorët e Tiranës.
“Unë do ju lutesha ta shihni KLP si pjesë të zgjeruar të familjes. Kemi detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta, të arrijmë rezultate në luftën kundër krimit. Ndëshkimi duhet të bjerë aty ku duhet të bjerë. E nevojshme është të krijojmë ura komunikimi”,- tha ai.