AKTUALITET, 16 Nëntor 2018, 11:03

DETAJE/ Kokaina nga Ekuadori dhe lidhja me vrasjen e bosit të mafias greke

DETAJE/ Kokaina nga Ekuadori dhe lidhja me vrasjen e bosit të mafias greke

Në bazë të koordinimit të policive në disa vende është bërë i mundur shkatërrimi i një klani të fuqishëm që transportonte kokainë nga Ekuadori në vende të tjera.

Operacionin “Impacto 444”, i cili u zhvillua në Ekuador dhe në Greqi, bllokoi një sasi prej 350 kg kokainë dhe ndërkohë kishte arrestime në Ekuador por edhe në Greqi.

Mediat në Athinë kanë filluar të bëjnë lidhjet e vrasjes së një biznesmeni greko australian pak ditë më parë në Greqi dhe sasisë së drogës së kapur nga polica e cila duket se në një pjesë të madhe kishte si destinacion Australinë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për grupin e arrestuar, të cilët dyshohen se qëndrojnë pas vrasjes së biznesmenit grek, Janis Makris, 46 vjeç. Operacioni për goditjen e trafikut të drogës ka çuar deri tani 11 persona në pranga, mes tyre edhe dy vëllezër shqiptarë.

Vrasja e biznesmenit grek dyshohet të jetë bërë nga ky grup i strukturuar kriminal. Greku i vrarë në Athinë pak ditë më parë ishte bosi i mafias dhe i drogës në Australi, ndërsa shtypi grek ka shkruar disa herë duke denoncuar aktivitetin e paligjshëm të 46-vjeçarit.

Ndërkohë pas vrasjes, mediat australiane hodhën dyshime se vrasësi i biznesmenit mund të ishte një shtetas shqiptar. Gjithashtu mediat greke hodhën aludime të forta se kokaina e sekuestruar gjatë operacionit ndërkombëtar në Ekuador ishte porositur nga mafia shqiptare, por pa dhënë shumë detaje.

Prej shtatorit 2018 e deri ditën e arrestimit, të dyshuarit kanë krijuar një organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës nga Ekuadori drejt Australisë nën drejtimin e dy grekëve Apostolis Leusis dhe Vasilis Spiridonakos si dhe shqiptarit Ilia Papa. Pazaret e drogës dhe konkurrenca dyshohet si një ndër pistat kryesore, e cila ka çuar në ekzekutiminin e biznesmenit.