AKTUALITET, 7 Maj 2019, 14:30

Del pergjigja e analizave të ujit në Bulqizë, ISHP: Nuk ka ndotje

Del pergjigja e analizave të ujit në Bulqizë, ISHP: Nuk ka ndotje


Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar rezultatet e analizave të ujit në Bulqizë, ku më shumë se 110 persona u helmuan.

Sipas ISHP-së uji në Bulqizë nuk ka ndotje mikrobiologjike. Këto analizat shtojnë misteret, se përse u helmuan më shumë se 110 qytetarë të Bulqizës. Të gjithë u shprehën se kishin konsumuar ujin që vjen nga Ujësjellësi i Bulqizës.

“Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale", – thotë ISHP.

Njoftimi i ISHP-së:

Përgjigja e analizave të para për ujin në Bulqizë. Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë.

Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale.

Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim.