AKTUALITET, 7 Maj 2019, 12:31

“Astiri”, Gazment Bardhi: Në burg duhet të shkojë Rama dhe Gjiknuri, jo banorët. Shtëpitë nuk do të preken

“Astiri”, Gazment Bardhi: Në burg duhet të shkojë


Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka shkuar në zonën e “Astirit” pas përplasjeve të banorëve me policinë dhe shoqërimit të disa protestuesve si dhe ish-deputetit Klevis Balliu.

Bardhi tha se PD do jetë në mbështetje të banorëve dhe mbi djersën e gjakun e tyre, shtoi ai, nuk do zbatohet asnjë projekt. Në burg duhet të shkojnë kryeministri dhe ish-ministri Damian Gjiknuri, tha Bardhi, si autorë të firmosjes së vjedhjes 20 mln euro.

“Në burg duhet të shkojë Edi Rama dhe Damian Gjiknuri dhe jo banorët. Ne jemi këtu për t’u dhënë mbështetje të plotë në emër të PD.

Mbi gjakun dhe djersën e banorëve nuk mund të ekzekutohet asnjë akt korruptiv siç është projekti i Unazës së Madhe, projekti i vjedhjes 20 mln euro. Shoqërimi i Klevis Balliut? Hakmarrje politike.

Banorët janë në të drejtën e tyre. Klevis Balliu do jetë në mbështetje të këtyre banorëve”, u shpreh Bardhi.

Gjithashtu, numri dy i PD, i bëri thirrje edhe uniformave blu që të heqin dorë nga dhuna ndaj protestuesve, duke i paralajmëruar ata se do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.