AKTUALITET, 24 Qershor 2019, 11:23

Dekreti i Metës/ Kolegji Zgjedhor nis shqyrtimin, sot vendimi për 30 qershorin

Dekreti i Metës/ Kolegji Zgjedhor nis shqyrtimin, sot vendimi për 30


Ka nisur mbledhja e Kolegjit Zgjedhor për të vendosur për vlefshmërinë e datës 30 qershor si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore apo jo.

Mbledhja pritet të nisë prej orës 11:00. Trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Ridvan Hado, Tomor Skreli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj dhe Astrit Kalaja u vu në lëvizje pas një kërkese ankimore nga Partia Uniteti Kombëtar, e cila kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet për organet për qeverisjet vendore, me argumentin se Presidenti i Republikës ka ndërmarrë një dekret që anulonte 30 qershorin.

Ky dekret i Presidentit mori formë ligjore në momentin që u botua në Fletoren Zyrtare dhe Partia Uniteti Kombëtar përfitoi duke kërkuar çregjistrimin nga zgjedhjet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte hallka e parë që shqyrtoi këtë kërkesë. Ata rrëzuan Partinë Uniteti Kombëtar me argumentin se Kodi Zgjedhor nuk parashikonte çregjistrimin në këtë fazë të procesit.

Vetë KQZ-ja më herët kishte rrëzuar edhe vetë dekretin e Presidentit, duke theksuar se ai është nul dhe nuk sjell pasoja juridike.

Por Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, cilido qoftë ai, pak efekt pritet që të ketë në zbutjen e krizës politike, pasi palët qëndrojnë edhe më të përforcuara në qëndrimet e tyre për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve vendore.