TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia e Shtetit njoftoi sot sekuestrimin e një pasurie prej 12 milionë euro të biznesmenit fierak, Arjan Shanaj.
Pasuria sipas policisë është përfituar përmes trafikut të drogës, deri në vitin 2017, kur Shanaj u arrestua nga policia në Greqi më 20 qershor 2017.
Ishin mediat greke që raportuan të parat se “truri” i trafikut të kokainës ishte biznesmeni shqiptar Arian Shanaj, sot 56 – vjeç.
Por kush është Arjan Shanaj?
Biznesmenit që iu sekuestrua sot pasuria është nga Fieri dhe deri në momentin e arrestimit ka jetuar në një vilë në Kavuri, zonë në periferi të Athinës.
Në Shqipëri, ai ka patur aktivitet në fushën e tregtimit të gazit natyror dhe karburantit.
Emri i tij ka qenë i përfshirë edhe në rrjetin e trafikut të drogës në Spanjë dhe Itali. Sipas të dhënave të autoriteteve greke, drejtuesit e kësaj organizate kishin kontakt të drejtpërdrejtë me një kartel droge në Kolumbi, ku dhe merrnin kokainën.
Nga Amerika Latine, kokaina dërgohej në Ballkan. Përpunimi bëhej në Shqipëri dhe në Kosovë dhe më pas trafikohej në zonën e Trikallas. Këtu hynte në lojë biznesmeni grek Sakis Karatzounis, edhe ky i arrestuar, i cili kishte për detyrë të magazinonte drogën që sillnin shqiptarët.
Pas kësaj, kokaina transportohej për në Athinë dhe në Mikonos, ku shitej për klientët VIP dhe 1 gr kapte vlerën e 100 eurove.
DEA amerikane kishte marrë informacione se një sasi kokaine ishte nisur nga Kolumbia drejt Ballkanit nën logon e “Playboy” dhe zbuloi se të përfshirë ishin shqiptarë dhe grekë.
Arjan Shanaj dhe lidhja me “skifterin” Astrit Bushi
Në vitin 2014, policia e arrestoi Shanajn bashkë me mikun e tij, Astrit Bushi, pasi iu gjetën dy armë zjarri, të cilat ai i zotëronte pa leje.
Ky ishte edhe momenti vendimtar që solli ekstradimin e Astrit Bushit, laçiani i arrestuar nga forcat RENEA për llogari të autoriteteve italiane dhe spanjolle, pasi akuzohet si personi që udhëhoqi grabitjen e yllit televiziv spanjoll dhe dhunimin e tij, Joze Luis Moreno.