AKTUALITET, 4 Nëntor 2019, 11:31

Bllofi i propagandës/ Në Tiranë bie shi, por sipas Veliajt, në "Kinostudio" po shkëlqen dielli!

Ekipit të propagandës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i ka ndodhur shpesh të dalë bllof dhe t'i zbulohen manipulimet. Ka ndodhur përshembull që kryetari të jetë jashtë vendit, ndërkohë që në rrjetet sociale shfaqej duke mbjellë pemë.

Një ngjarje e ngjashme, por me përmasa tejet komike,  është shënuar edhe ditën e sotme, jo me aktivitetet ku merr pjesë kryetari Veliaj, por me motin!

Gjatë ditës së sotme, kryeqyteti është përfshirë nga reshje të dendura shiu, por në rrjetin social që përdor më të shumti zoti Veliaj, një diell i madh ka shkëlqyer në Kinostudio, në tregun e lëvizshëm që është instaluar aty. Aq i fortë ka qenë ky diell, sa ka shastisur të gjithë ekipin e komunikimit të zotit Veliaj dhe kanë harruar të hedhin sytë nga dritarja e zyrës.

Sigurisht, ekipi i komunikimit të Veliajt, nuk ka patur për qëllim të manipulojë motin, sepse kjo gjë nuk e ndihmon imazhin e kryetarit, ndaj nuk ka pikë rëndësie, nëse në tregun e Kinostudios bie shi apo shkëlqen dielli.

Por, ky zanat që ka në thelb manipulimin e imazhit, për të manipuluar më pas mendjet e njerëzve, është një ves i keq, që krijon edhe këto situata tragjikomike të pashembullta. Në përpjekjen titanike për ta shfaqur tregun e Kinostudios, sa më të bukur dhe frutat sa më të ndritshme, që edhe vetë kryetari të duket si një diell, ka prodhuar statusin e mëposhtëm. Shiheni me vëmendje dhe shijoni edhe ju këtë ditë të bukur me diell nga Kinostudio! /TPZ.al/