AKTUALITET, 2 Prill 2019, 14:35

CIES publikon listën e futbollistëve më të shtrenjtë në ligat europiane, kryeson Mbape, pjesë e saj edhe Rashica

Një vëzhgim i bërë nga “CIES Football Observatory” rezulton se kilian Mbape është aktualisht futbollisti më i shtrenjtë në pesë ligat kryesore të Europës. CIES ka publikuar listën e lojtarëve më të shtrenjtë të skuadrave në kampionatet përkatëse. Kështu, në kampionatin francez futbollisti i PSG, Kilian Mbape me 228 milion euro udhëheq listën ndërsa ka lënë pas krahëve të tij shokun e skuadrës Nejmar. Ylli 20-vjeçar sipas klasifikimit rezulton si edhe futbollisti më i shtrenjtë i momentit.

Ndërkohë, te Barcelona në kampionatin spanjoll nuk ka surpriza, teksa lista kryesohet nga Mesi, i cili kushton 171 milionë euro, ndërsa pas argjentinasit renditet lojtari i Atletiko Madrid, Antuan Grizman, që ka një vlerë prej 150 milionë euro. Vendi i 3 për portierin e Real Madrid, Tibo Kurtua.

Sakaq, nga kampionati anglez, futbollisti më i kushtueshëm është Herri Kejn i Totenhemit, i cili sipas CIES, kushton 198 milionë euro, ndërkohë që pas tij është Rahem Sterlin, që ka vlerën e kartonit 187 milionë euro. Vendi i tretë për Mohamed Salah, teksa pas tij Lukaku dhe vendi i 5 për Hazard.

Nga Seria A futbollisti më i shtrenjtë rezulton Paulo Dibala, që sa i përket Juventusit, ka lënë pas shokun e skuadrës Kristiano Ronaldo. Ndërkohë, pas tij renditen Lorenco Insinje dhe Mauro Ikardi.

Përsa i përket, Bundesligës, futbollisti që kryeson listën vjen nga Dortmundi dhe bëhet fjalë për talentin britanik, Xhejdon Sanç, i cili kushton 148 milionë euro. Pas tij, mbrojtësi i Bajernit Syle dhe sulmuesi i Lajpcig, Timo Verner. Ndëkaq, pjesë e listës është edhe futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, i cili është më i vlerësuari te ekipi i Verder Bremen dhe kushton 12 milionë euro.