TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një herë e një kohë trajnerët nuk ishin personazhet më të paguar në klubet e futbollit, ndërkohë që në qendër të vëmendjes ishin futbollistët, ata që dhurojnë spektaklin në fushë. Megjithatë, kohët kanë ndryshuar dhe gjithnjë e më shumë klubet e mëdhenj po shpenzojnë miliona për trajnerët, duke e ditur se një skuadër e fortë nuk fiton dot pa një strateg në stol.
France Football ka publikuar listën e trajnerëve më të paguar në planet dhe çuditërisht dy prej tyre janë pushuar nga puna këtë sezon, por natyrisht vazhdojnë të paguhen, për sa kohë nuk kanë gjetur ekip të ri.
5.) Ernesto Valverde (Barcelona, 23 milionë euro)
Në vendin e pestë të renditjes së trajnerëve më të paguar qëndron Ernesto Valverde, i cili ka një kontratë deri në vitin 2020 dhe nga kjo fut në xhep 23 milionë euro në total.
Barcelona është në garë për 3 trofe këtë sezon dhe në fillim të këtij viti Barcelona vendosi të zgjaste edhe një vit kontratën me trajnerin e vet.
4.) Pep Guardiola (Manchester City, €24m)
Para trajnerit aktual të Barcelonës qëndron ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, i cili merr 24 milionë euro te Manchester City.
Edhe Guardiola synon ta mbyllë sezonin me 3-4 trofe, me Champions League si objektiv kryesor, natyrisht.
Guardiola ka shpenzuar shifra të frikshme te City, por ka ndërtuar një skuadër të jashtëzakonshme dhe nëse ia del, milionat e shpenzuara ia kanë vlejtur plotësisht.
3.) Thierry Henry (ish-Monaco, €25.5m)
Futbollist i madh, automatikisht trajner i mirë? Ky është rregulli që thuajse asnjëherë nuk funksionon dhe për këtë mjafton të shohim Thierry Henry. Ish-sulmuesi legjendar nisi punën si trajner para disa muajsh, por dështoi dhe Monaco e largoi brenda 3 muajsh.
Gjithsesi, kontrata 3-vjeçare firmosur në tetor i garanton 25.5 milionë euro, për vetëm 4 fitore në 20 ndeshje në drejtim. T'i ndodhte në Shqipëri, do detyrohej të kthente pas edhe paratë e marra për 3 muaj punë.
2.) José Mourinho (ish-Man Utd, €31m)
Trajneri që ka fituar si pak të tjerë në histori, trajneri që si askush i përçan mediat dhe tifozët në vlerësimin kundrejt tij.
The Special One fitoi 31 milionë euro gjatë periudhës së qëndrimit në Old Trafford, por u pushua nga puna në dhjetor, për shkak të ecurisë së dobët dhe problemeve të brendshme.
1.) Diego Simeone (Atlético Madrid, €41m)
Trajneri më i paguar në botë është një surprizë, sepse pakkush e pret që Atletico të shpenzojë kaq shumë. Megjithatë, Diego Simeone është një institucion në Madrid dhe tashmë fiton 41 milionë euro nga Los Colchoneros, me kontratën që i zgjat deri në 2022.
Ndonëse eliminimi nga Juventusi këtë sezon në Champions ishte një goditje e rëndë, Simeone mbetet një ndër trajnerët më të mirë në botë dhe me Atletico-n ka fituar shumë trofe.
