AKTUALITET, 2 Mars 2018, 08:36

Çështja e detit, Meta pret në Presidencë deputetët e Komisionit të Jashtëm

Çështja e detit, Meta pret në Presidencë deputetët e

Ilir Meta, Presidenti i Republikës, ka pritur sot në mëngjes anëtarët e Komisionit të Politikës së Jashtme, të cilët kërkuan informacion për fazat e negociatave për arritjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit.

Dëgjesën me Ilir Metën e kërkuan anëtarët e opozitës dhe ashtu siç pritej kanë mbërritur në orën 08:15 në Presidencë.

Ilir Meta do të japë sqarime para Komisionit të Jashtëm, të cilët pranuan ftesën e presidentit për të shkuar në Presidencë.

Kështu kanë mbërritur njëri pas tjetrit deputetët e mazhorancës dhe opozitës, si Ervin Bushati, Evis Kushi, Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Rudina Hajdari, Klajda Gjosha, Nard Ndoka, Klotilda Bushka.

Ministria e Jashtme i ka kërkuar Presidentit Meta dhënien e autorizimit për hapjen e negociatave për një marrëveshje me Greqinë, por kreu i shtetit shqiptar ka kërkuar dy herë sqarime të hollësishme. Kurse opozita në Komisionin e Jashtëm kërkoi një seancë dëgjimore me presidentin në lidhje me këtë çështje.

Ishte deputeti i PD, Tritan Shehu, i cili u shpreh gjatë diskutimeve dje në Komisionin e Jashtëm ku raportoi ministri Ditmir Bushati, se do bënte një kërkesë për të raportuar përpara këtij komisioni edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ftesë të cilës në parim Meta iu përgjigj pozitivisht përmes zëdhënësit Tedi Blushi. “Ministri Bushati foli në shkelje të etikës ndaj deputetëve dhe presidentit. Që në fillim të fjalës sime do të bëj kërkesën në emër të deputetëve të opozitës që mbas kësaj mbledhjeje, në një ditë të përshtatshme të organizojmë mbledhje të dytë dhe të thërrasim Presidentin e Republikës. Do e paraqesim edhe me shkrim këtë kërkesë, sepse u bënë shumë lojëra fjalësh mbi të, shumë akuza”, – tha përfaqësuesi i PD, Tritan Shehu, gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm.