BOTA, 4 Prill 2023, 21:01

Donald Trump e deklaron veten të pafajshëm për 34 akuza

Donald Trump e deklaron veten të pafajshëm për 34 akuza

Ish Presidenti Donald Trump, e ka deklaruar veten të pafajshëm për 34 akuza, ndër të cilat edhe falsifikimi i të dhënave të biznesit. 

Trump akuzohet se ka falsifikuar të dhënat e biznesit në mënyrë të përsëritur, për të mbuluar veprimtari kriminale. 

"Manhattan është shtëpia e tregut më të rëndësishëm të biznesit në vend. Nuk mund të lejojmë që bizneset e New York-ut të manipulojnë dokumentacionin e tyre për të mbuluar veprimtari kriminale", deklaroi gjyqtari. 

Ndërkohë Trump ështa larguar nga Gjykata Penale e Manhattan dhe pritet të marrë avionin e tij privat për t'u rikthyer në Florida. 

ÇËSHTJA NDAJ ISH PRESIDENTIT

Një nga akuzat për Donald Trump, lidhet me ish aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels. 

Zonja Daniels pretendon se ajo dhe Trump kanë kryer marrëdhënies seksuale dhe se ajo ka pranuar 130,000 dollarë nga ish avokati i Trump, Michael Cohen, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në këmbim të heshtjes. 

Pagesa e parave si kompensim në këmbim të heshtjes, nuk është në fakt e paligjshme. Por, telashet e ish presidentit vijnë për shkak të mënyrë se si e ka regjistruar ai këtë pagesë. 

Ai akuzohet për falsifikimin e dokumentacionit të biznesit duke thënë se pagesa ishte për tarifat ligjore ndaj avokatit. 

Pagesa u bë gjithashtu një muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe kritikët e Trump pretendojnë se paratë e paguara, janë në shkelje të rregullave të fushatës. 

Ish avokati i Trump, Michael Cohen ka dëshmuar nën betim, se Trump i kishte dhënë atij pagesën e heshtjes prej 130,000 dollarësh, disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2016.

Trump ka mohuar të ketë shkelur ligjin me këtë pagesë. Ai e konsideron procedimin ndaj tij, si sulm politik.