BOTA, 4 Prill 2023, 18:58

I grabitën orën me vlerë 2 milionë euro pilotit të Ferrarit, si ranë në pranga 4 autorët, mes tyre 1 grua

I grabitën orën me vlerë 2 milionë euro pilotit të

Katër persona janë arrestuar, pasi akuzohen se kanë vjedhur  orën e pilotit të Ferrarit, Charles Leclerc. Bëhet fjalë për tre burra dhe një grua, të cilët janë hetuar në lidhje me ngjarjen që ndodhi në Viareggio më 18 prill 2022.

Ora, një Richard Mille RM 67 -02 që kap vlerën e mbi dy milionë eurove, pas vjedhjes u rishit në Spanjë. Këta persona kishin organizuar grabitjen, ndërsa policia italiane i gjurmoi pas vëzhgimit të kamerave të sigurisë në zonë.

Pasi grabitën orën, të katër autorët u nisën menjëherë për në Napoli. Gjatë hetimeve, karabinierët konstatuan se në të njëjtën mbrëmje të grabitjes së shoferit të Ferrarit, dy nga katër grabitësit iu afruan një çifti të ri nga Lucca në qendër të Forte dei Marmi, duke tentuar t’i rrëmbenin burrit nga kyçi i dorës një orë me vlerë 40 mijë euro.

Por grabitja në këtë rast nuk pati sukses për shkak të rezistencës së viktimës dhe ndërhyrjes së disa kalimtarëve.

Ndërkohë, ora e Charles Leclerc dyshohet se i është shitur menjëherë nga banda te një sipërmarrës spanjoll, por për shkak të bujës që mori ngjarja dhe si rrjedhojë vështirësisë në rishitjen e saj, autorët nuk siguruan më shumë se 200 mijë euro.