TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Situata nuk është rozë për kancelarin gjerman Olaf Scholz. Bilanci i koalicionit të qendrës së majtë të drejtuar prej tij, afro dy vjet pas zgjedhjeve parlamentare në shtator 2021 lë shumë për të dëshiruar. Tre nga katër gjermanë janë pak ose aspak të kënaqur me punën e qeverisë së drejtuar nga kancelari socialdemokrat. Partia socialdemokrate, së cilës i përket kancelari, në sondazhe ka rënë në vendin e tretë, pas Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) dhe partisë së skajit të djathtë, Alternativë për Gjermaninë (AfD). Edhe dy partitë e tjera të koalicionit, Të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) kanë rënë nëpër sondazhe.
Olaf Scholz – dhe si e sheh ai të ardhmen
Por kancelarit vetë këto duket se nuk i bëjnë përshtypje: “Unë jam në fillim të punës sime si kancelar,” tha ai të premten, 15.07.2023, në një konferencë shtypi me korrespondentët e akredituar, i pyetur për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2025. Scholz është bekuar me një vetëbesim të patundur. “Kam shumë besim se AfD-ja nuk do të ketë rezultate më të mira se në zgjedhjet e mëparshme”, tha ai, duke dhënë këshillën që këto rezultate të shihen “më me gjakftohtësi”. Edhe kësaj here, si gjithmonë, Scholz e tha pa e ndryshuar mimikën, sepse Scholz i ka gjithmonë nën kontroll si veten ashtu edhe ndjenjat e tij.
Kancelari socialdemokrat i përshkruan populistët e krahut të djathtë si një “parti me qejfprishur” që përfiton nga krizat. Prandaj është e rëndësishme që qeveria të zbatojë “programin e saj të modernizimit”. “Të gjitha risitë që duam të nisim për ekonominë tonë përcjellin gjithmonë mesazhin se gjërat do të shkojnë mirë për çdo individ.” E kjo do t’ia prishë modelin e biznesit AfD-së, është i mendimit kancelari.
Olaf Scholz – i gjithëdituri
I patundur dhe i bindur në vetëvete, kjo është motoja me të cilën prej dekadash bën politikën juristi 65-vjeçar. Scholz shpesh paraqitet si i gjithëditur – veçanërisht kur i bëjnë pyetje. Nuk lë asnjë dyshim në bindjen e vet se politika e tij është domosdoshmërisht logjike dhe për këtë arsye e saktë. Nëse dikush nuk e kupton ose e kundërshton, ai ia kthen me nënçmim: “Zonja Presidente, nëse do të përpiqesha vërtet të kundërshtoja të gjithë listën e vërejtjeve të pasakta, nuk do të më dilte koha”, tha ai përpara pushimeve verore të Bundestagut në interpelancën parlamentare.