BOTA, 26 Mars 2023, 09:28

Putin paralajmëron vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi! SHBA tregohet e kujdesshme: Nuk ka informacion se Rusia do t’i përdorë kundër Ukrainës

Putin paralajmëron vendosjen e armëve bërthamore në

Presidenti Vladimir Putin njoftoi një ditë më parë se do të vendosë armë bërthamore në Bjellorusi, duke i dërguar një mesazh NATO-s për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.

Putin tha për televizionin shtetëror se vendosja e armëve taktike bërthamore nuk është në shkelje të asnjë marrëveshje dhe asnjë angazhimi për mospërdorimin e armëve bërthamore.

Nga ana e saj, SHBA ka bërë një reagim të kujdesshëm. Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se deri më tani nuk ka asnjë informacion të besueshëm se Putin do përdorë armë bërthamore në Ukrainë.

Putin i krahasoi planet e tij me vendosjen e armëve të SHBA-së në Evropë dhe tha se Rusia nuk do të transferonte kontrollin në Bjellorusi. Por kjo mund të ishte hera e parë që nga mesi i viteve 1990 që Rusia do të bazonte armë të tilla jashtë vendit.

“Nuk ka asgjë të pazakontë as këtu: së pari, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë këtë për dekada. Ata kanë vendosur prej kohësh armët e tyre taktike bërthamore në territorin e vendeve të tyre aleate,” tha Putin për televizionin shtetëror.

“Ne ramë dakord që do të bëjmë të njëjtën gjë – pa shkelur detyrimet tona, theksoj, pa shkelur detyrimet tona ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore.”