BOTA, 29 Nëntor 2022, 10:38

Protestat në Kinë/ Policia shtyp revoltën qytetare pak ditë pas nisjes

Protestat në Kinë/ Policia shtyp revoltën qytetare pak ditë

Protestat në Kinë kundër kufizimeve për koronavirus duket se janë shtypur si pasojë e përgjigjes së autoriteteve.

Të martën është raportuar për prezencë të madhe policore në disa qytete dhe për pasojë disa organizime kanë dështuar.

Ka pasur edhe zëra se njerëzit janë marrë në pyetje dhe që u janë kontrolluar telefonat.

Megjithatë, kinezët kanë vazhduar protestat në vende tjera të botës.

Shumë persona janë mbledhur para ambasadave kineze në qytetet si Londër, Paris dhe Tokio, si dhe para universiteteve në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Protestat kanë nisur javën e kaluar si shenjë pakënaqësie pas zjarrit që ka shpërthyer në qytetin Urumqi, në perëndim të Kinës, duke lënë të vdekur 10 persona.

Protestuesit kanë thënë se banorët nuk kanë mundur t’iu ikin flakëve për shkak të kufizimeve për koronavirus.

Autoritetet, në anën tjetër, kanë hedhur poshtë diçka të tillë.

Përveç dhënies fund të kufizimeve për pandeminë, në protesta janë bërë edhe thirrjet e rralla që lideri i shtetit, Xi Jinping të heqë dorë nga kjo pozitë.

Kina zbaton politikën e zero rasteve me koronavirus, që parasheh karantina të gjata dhe testime të shpeshta.

Ajo është ndër vendet e fundit në botë që praktikon masa të tilla për menaxhim të këtij virusi.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.