TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministrat e jashtëm të NATO-s janë mbledhur në Rumani për të diskutuar mbi gjendjen në Ukrainë.
Udhëheqësi i aleancës, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, gjatë fjalimit të hapjes nga kryeqyteti rumun konfirmoi mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.
Stoltenberg u shpreh se “NATO është i përgatitur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj nga sulmi”.
Ai thekson se aleanca “nuk është palë në konflikt”, por thotë se anëtarët e saj po ofrojnë “mbështetje” për vendin në mënyrë që të mund të mbrohet nga Rusia.
Jens Stoltenberg akuzoi Rusinë për rritjen e “shkallës së brutalitetit” në pushtimin e saj, duke vënë në dukje koston financiare për vendet evropiane dhe të tjera.
“Ne të gjithë po paguajmë një çmim për luftën e Rusisë në Ukrainë, por çmimi që paguajmë është në para, ndërsa për Ukrainën është paguar me gjak”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i aleancës.
Stoltenberg shtoi se NATO nuk duhet të lejojë që Rusia të fitojë, sepse “kjo do të thotë që Presidenti Vladimir Putin dhe liderë të tjerë autoritarë do të bëhen më të sigurt për të përdorur dhunën për të arritur qëllimet e tyre”, duke shtuar se “nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme nëse fiton shtypësi”.
“Ne e dimë se shumica e luftërave përfundon në tryezën e bisedimeve, por ajo që ndodh në tryezën e bisedimeve është e lidhur pazgjidhshmërisht me atë që ndodh në fushën e betejës”, përfundoi ai.
Aleanca ka premtuar mbështetje të palëkundur për Kievin, ndërsa Rusia vazhdon të synojë infrastrukturën e Ukrainës, e cila ka lënë miliona njerëz të përballen me ndërprerje dimërore të energjisë elektrike, përfshirë edhe kryeqytetin.
Mbledhja në Bukuresht pritet të diskutojë mënyrën më të mirë për të ndihmuar Ukrainën gjatë gjithë muajve të ftohtë të dimrit.
Por mes aleatëve NATO-s ka mendime të ndryshme mbi atë se çfarë lloj mbështetjeje ushtarake t’i jepet Ukrainës.