TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, ka reaguar për herë të parë pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj klientit të tij. Në një postim të tij në X, Mishetiç tha se avokatët e ish-presidentit Thaçi “do ta apelojnë Aktgjykimin e djeshëm të Trupit Gjykues pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), duke pretenduar se janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor”.
“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që, sipas saj, nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë”, deklaroi Mishetiç. Ai tha se mbrojtja mbetet në qëndrimin se “ndërhyrjet gjyqësore e kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë”.
“Sipas Mbrojtjes, kjo mungesë paanshmërie tashmë është reflektuar në Aktgjykimin e Trupit Gjykues”, u shpreh më tej ai. Mbrojtja deklaron se “gjetjet e Trupit Gjykues për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara”.
“Për më tepër, Trupi Gjykues dje deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaçit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos diskutonin publikisht rastin e z. Allaqit gjatë seancave gjyqësore, si dhe kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”.
“Kështu, sipas Mbrojtjes, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht fajtor z. Thaçi për një vrasje, ndërsa në të njëjtën kohë ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, tha Mishetiç në këtë postim.
MESAZHI I THACIT
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur popullin pas verdiktit dënues të datës 16 shtator në Hagë.
Udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale, do të vazhdojë betejën gjyqësore, me apelimin e vendimit.
Këtë e ka bërë të ditur kryembrojtësi, Luka Mishetiç, në një deklarim të parë pas aktgjykimit të Speciales, ku e përcolli edhe mirënjohjen e Thaçit dhe thirrjen e tij ndaj qytetarëve të Kosovës për qetësi. “Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të qetë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, thuhet në postimin e Mishetiç.