BOTA, 28 Nëntor 2022, 22:34

Lufta në Ukrainë/ SHBA kanë përdorur një herë komunikimin e posaçëm ushtarak me Rusinë

Lufta në Ukrainë/ SHBA kanë përdorur një herë

Një linjë e posaçme komunikimi, e krijuar midis ushtrive të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në fillim të luftës së Moskës kundër Ukrainës, është përdorur vetëm një herë deri më tani, tha një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara bënë një telefonatë përmes linjës së posaçme, e njohur si “linja e shmangies së konfliktit”, për të komunikuar shqetësimet e tyre në lidhje me operacionet ushtarake ruse pranë infrastrukturës kritike të Ukrainës.

Reuters është agjencia e parë e lajmeve që raporton për përdorimin e kësaj linje të posaçme komunikimi, përveç përdorimit të saj gjatë provave.

Pak detaje dihen rreth incidentit, që çoi në përdorimin e linjës së posaçme të komunikimit, e cila lidh Komandën Evropiane të Ushtrisë Amerikane dhe Qendrën e Menaxhimit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë.

Zyrtari nuk pranoi të jepte hollësi, por tha se linja nuk ishte përdorur në rastin kur një raketë goditi aksidentalisht Poloninë, vend anëtar i NATO-s, më 15 nëntor, duke vrarë dy persona. Shpërthimi në Poloni ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase, por Rusia ishte përfundimisht përgjegjëse, sepse ajo filloi luftën në fund të shkurtit, thanë zyrtarët e NATO-s.

Ndonëse zyrtari amerikan nuk pranoi të specifikonte se cili veprim rus ngriti alarmin për Shtetet e Bashkuara, ka patur incidente të rënda për të cilat është folur publikisht, duke përfshirë sulmet ruse ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës.

Këto përfshijnë operacionet ruse rreth centralit bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, i cili kontrollohet nga forcat ruse.

Ukraina ka shprehur gjithashtu shqetësimin se Rusia mund të hedhë në erë digën Nova Kakhovka, më madhja në Ukrainën jugore. Hedhja në erë e digës do të shkaktonte përmbytjen e vendbanimeve rreth saj, duke përfshirë kryeqytetin rajonal strategjik të Khersonit, të cilin forcat ukrainase e rimorën më 11 nëntor.

Komunikimet SHBA-Rusi kanë qenë në qendër të vëmendjes, që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, duke patur parasysh rrezikun e madh që gabimet e njërës palë, mund të çojnë në një konflikt të drejtpërdrejtë midis dy vendeve zotëruese të armëve bërthamore.

Linja e shmangies së konflikteve është vetëm një prej mënyrave që disponojnë ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të komunikuar me njëra-tjetrën.

Kanale të tjera ushtarake përfshijnë bisedimet e rralla të nivelit të lartë mes Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu. Gjeneralët kryesorë amerikanë dhe rusë, Gjenerali Mark Milley dhe ai rus Valery Gerasimov, gjithashtu kanë biseduar dy herë që nga fillimi i luftës.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan dhe drejtori i CIA-s, Bill Burns, kanë patur gjithashtu kontakte me zyrtarët rusë.

Megjithatë, marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në pikën më të ulët që nga koha e Luftës së Ftohtë dhe Departamenti amerikan i Shtetit tha të hënën se Moska shtyu bisedimet në Kajro që synojnë rifillimin e inspektimeve për armët bërthamore. Ministra e jashtme ruse konfirmoi se bisedimet janë shtyrë. Asnjëra nga palët nuk dha një arsye.

Në përgjigje të kërkesave për të komentuar në lidhje me linjën për uljen e tensioneve, Pentagoni u shpreh se mban disa kanale “për të diskutuar me rusët çështje jetike të sigurisë gjatë një rrethane të papritur ose një emergjence, me qëllimin për të parandaluar gabimet në gjykim, incidentet ushtarake dhe përshkallëzimin”.

“Ndjehemi të inkurajuar nga telefonatat e fundit mes zyrtarëve të lartë të Departamentit të Mbrojtjes dhe homologëve të tyre rusë, dhe besojmë se dialogu i vazhdueshëm është jetik”, tha një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes.

Ambasada ruse në Uashington dhe Ministria ruse e Mbrojtjes në Moskë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Kur u njoftua në muajin mars, Pentagoni tha se linja për shmangien e konflikteve u krijua për të shmangur përplasjet e paplanifikuara në hapësirën ajrore apo tokësore të NATO-s.

“Nuk u projektua për të qenë një linjë ankesash, ku mund të ngremë telefonin dhe të shprehim shqetësimin për veprimet e Rusisë në Ukrainë”, tha në atë kohë një zyrtar i lartë amerikan.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik ruanin linja të tilla komunikimi në nivele të ndryshme.

Alexander Vershbow, ish-ambasador amerikan në Moskë dhe ish-zyrtar i lartë i Pentagonit dhe NATO-s, tha se linja u krijua më shumë për t’u përqëndruar tek operacionet e përditshme, se sa për bisedat më strategjike mes zyrtarëve të lartë si gjeneralët Milley dhe Gerasimov.

Zoti Vershbow bëri krahasimin me linjën shumë më aktive për uljen e tensioneve në Siri, ku forcat amerikane dhe ruse ndonjëherë veprojnë në të njëjtën hapësirë ajrore apo të njëjtin terren.

“E kemi parë këtë në Siri, ku ekzistenca e një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi operacional mund të qartësojë të paktën synimet gjatë një situate që zhvillohet me shpejtësi, gjatë kohës kur ndoshta Uashingtoni është duke fjetur”, i tha zoti Vershbow agjencisë së lajmeve Reuters.

Linja për uljen e tensioneve testohet dy herë në ditë, me telefonata që bëhen në rusisht, i tha një zyrtar amerikan agjencisë së lajmeve Reuters. Një folës i rusishtes në Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara i fillon telefonatat nga qyteti Wiesbaden, i Gjermanisë, tha zyrtari.

Në Wiesbaden ndodhet edhe struktura e re e Pentagonit, Grupi për Asistencën e Sigurisë për Ukrainën (SAG-U), e cila mbështet nga larg përpjekjet e qeverisë ukrainase për t’u mbrojtur nga sulmet e forcave ruse.

Zyrtarë amerikanë, të cilët kanë folur në të kaluarën në kushte anonimiteti, kanë thanë se në fillimet e konfliktit besohej se linja mund të ishte e dobishme nëse Shtetet e Bashkuara do të duhej të evakuonin amerikanë nga territori i pushtuar nga forcat ruse në Ukrainë.

Kur filloi lufta, Shtetet e Bashkuara menduan se Rusia do të kishte kapacitetin për të marrë territore të Ukrainës me shpejtësi, duke i bllokuar kështu shtetasit amerikanë përpara se të kishin mundësinë të largoheshin.

Një zyrtar kishte aluduar se ndoshta linja do të përdorej edhe në rast se një avion luftarak rus do të ndiqte një avion ukrainas brenda hapësirës ajrore polake, apo nëse një raketë ruse do të hynte në hapësirën ajrore të NATO-s./VOA