TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një ‘super-kartel’ i madh droge që kontrollonte një të tretën e tregtisë së kokainës në Evropë është shkatërruar nga oficerët e policisë, me 49 arrestime në total, në vende si Franca dhe Dubai.
Operacioni ‘historik’ ndërkombëtar sekuestroi 30 ton kokainë, si dhe supermakina të bandës, vila luksoze si dhe shuma të mëdha parash.
Policia spanjolle tha se lideri i organizatës është një “shtetas britanik”, i cili u largua nga baza e tij e mëparshme në Costa del Sol për në Dubai, ku është vendosur grupi i krimit të organizuar Kinahan, pas një tentative rrëmbimi. Më pas, bëhet me dije se ai u arrestua në Dubai.
Përpjekjet ndërkombëtare përfshinin gjithashtu arrestime në Francë, Spanjë, Belgjikë dhe Holandë, tha në një deklaratë agjencia policore e BE-së.
“Kupolat e drogës të konsideruara si objektivat më me vlerë nga Europoli ishin bashkuar për të formuar atë që njihej si një “super kartel” që kontrollonte rreth një të tretën e tregtisë së kokainës në Evropë. Shkalla e importit të kokainës në Evropë nën kontrollin dhe komandën e të dyshuarve ishte masive dhe mbi 30 ton drogë u sekuestruan nga forcat e rendit gjatë hetimeve”, njoftoi agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së, Europol.
Europol tha se Dubai kishte arrestuar dy të dyshuar “të rëndësishëm” që janë të lidhur me Holandën, dy të tjerë të lidhur me Spanjën dhe dy të tjerë të lidhur me Francën.
“Një nga të dyshuarit holandezë është një peshk jashtëzakonisht i madh”, tha një burim i Europol për gazetën franceze AFP në kushte anonimiteti.
Dhjetë persona u arrestuan në Belgjikë, gjashtë në Francë dhe 13 në Spanjë. 14 persona të tjerë u arrestuan në vitin 2021 në Holandë si pjesë e të njëjtit operacion, tha Europol.
Policia spanjolle tha se më shumë se 500,000 euro u konfiskuan gjatë një bastisjeje në një seri vilash luksoze në Spanjë, së bashku me tre armë, makina super të shtrenjta dhe ora luksoze.
Garda Civile thotë se disa nga automjetet kishin vlerë rreth 300,000 euro.
Pamjet e publikuara nga Garda Civile sot treguan oficerë të armatosur rëndë që hynë me forcë në pallate ku bënë disa nga arrestimet dhe morën të dyshuarit në pranga.
Në Spanjë, Garda Civile tha se operacioni i tyre, i quajtur Operacioni Faukas, kishte filluar me sekuestrimin e 700 kilogramëve kokainë në portin e Valencias në mars 2020.
Një zëdhënës i policisë spanjolle tha: “Gjatë hetimit, oficerët zbuluan se një organizatë kriminale po kontrabandonte kontejnerë me kokainë përmes porteve të Barcelonës, Valencias dhe Algeciras”.
“Ata zbuluan gjithashtu se një biznes kompleks i pasurive të paluajtshme ishte organizuar në Costa del Sol për të pastruar të ardhurat nga fitimet e marra nga kontrabanda e drogës.
“Udhëheqësi i kësaj organizate u identifikua si një britanik i cili jetonte në Costa del Sol, por që duhej të linte Spanjën dhe të shkonte në Dubai pasi ishte subjekt i një tentative rrëmbimi.