BOTA, 26 Mars 2023, 16:16

NATO kritikon Rusinë: Retorika bërthamore është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme

NATO kritikon Rusinë: Retorika bërthamore është e rrezikshme

NATO kritikoi Rusinë për retorikën e saj të “rrezikshme dhe të papërgjegjshme bërthamore”, një ditë pasi që presidenti rus Vladimir Putin tha që Rusia do të “stacionojë” armë bërthamore taktike në Bjellorusi, raporton Reuters.

Zëdhënësi i NATO-s tha se “NATO-ja me kujdes po përcjell situatën, dhe se është e brengosur për retorikën e rrezikshme dhe të papërgjegjshme bërthamore të Rusisë”, transmeton Telegrafi.

“Nuk kemi parë ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë, që do të na bënte të rregullonim tonën”, shtoi zëdhënësi i Aleancës Veri-Atlantike.

Sipas tij, “përmendja e Rusisë për ndarjen bërthamore të NATO-s është krejtësisht e gabuar. Aleatët e NATO-s veprojnë në respekt të plotë të detyrimeve të tyre ndërkombëtare”.

“Rusia në mënyrë të përsëritur shkel detyrimet e saj për kontrollin e armëve dhe kohët e fundit pezulloi pjesëmarrjen e saj në Traktatin e New START”, tha zëdhënësi i NATO-s.