BOTA, 16 Shtator 2025, 18:51

Mbreti Charles III thyen traditën, bëhet monarku i parë britanik që merr pjesë në një funeral katolik pas gati katër shekujsh

Mbreti Charles III thyen traditën, bëhet monarku i parë britanik

Mbreti Charles III është bërë monarku i parë britanik në pothuajse katër shekuj që merr pjesë në një funeral katolik, duke shënuar një moment historik.

Ai, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes mbretërore, mori pjesë në ceremoninë mortore të dukeshës së Kentit, bashkëshortja e kushëririt të ndjerë të mbretëreshës Elizabeth.

Dukesha Catherine (Katharine Worsley), e cila u bë pjesë e familjes mbretërore në vitin 1961 pas martesës me princin Edward, duka i Kentit, ndërroi jetë më 4 shtator në moshën 92-vjeçare.

Ajo do të kujtohet gjithmonë për lidhjen e saj të veçantë me turneun e njohur të tenisit në Wimbledon, ku që nga viti 1969 ka qenë pjesë e ceremonive të ndarjes së trofeve.

Një tjetër moment i rëndësishëm në jetën e saj ishte kalimi në besimin katolik në vitin 1994, duke u bërë kështu anëtarja e parë e familjes mbretërore britanike që bënte një ndryshim të tillë që nga mbreti Charles II në vitin 1685.

Si drejtues suprem i Kishës Anglikane protestante, pjesëmarrja e mbretit Charles III në këtë ceremoni katolike përfaqëson një devijim domethënës nga protokolli tradicional. Ceremonia u mbajt në Katedraleën e Westminster-it dhe u udhëhoq nga Kardinali Vincent Nichols, udhëheqësi shpirtëror i katolikëve në Angli dhe Uells.

Në funeral ishin të pranishëm gjithashtu edhe princi William, trashëgimtari i fronit, dhe bashkëshortja e tij, princesha Kate. Ndërkohë, mbretëresha Camilla mungoi për shkak të rikuperimit nga një sinusit i rëndë.

Arkivoli i dukeshës do të përcillet drejt varrezave mbretërore në Frogmore, pranë kështjellës së Windsor-it, ku gjithçka është gati për pritjen e çiftit presidencial të Shteteve të Bashkuara.